Aksioni i qeverisë kundër informalitetit do të përshkallëzohet më tej dhe do të shtrihet në fushën e hidrokarburanteve, ku ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur të hënën në një konferencë për shtyp, se rëndësi do t’i kushtohet kontrollit të cilësisë së karburanteve. Balluku tha se në muajin tetor do të ngrihet në Porto Romano pranë pikës së magazinimit të hidrokarbureve, një laborator që do të bëjë të mundur kontrollin e cilësisë të naftës, gazit dhe lëndëve të tjera që hyjnë dhe dalin në këtë pikë grumbullimi. Ky laborator pritet të kontrollojë online në kohë reale rreth 85% të sasive të hyrje-daljes të hidrokarbureve.
Balluku gjithashtu njoftoi se gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti, janë kontrolluar rreth 3459 subjekte dhe janë gjobitur 44 prej tyre. Balluku gjithashtu premtoi se lufta kundër informalitetit do të jetë e ashpër dhe nuk do të bëjë diferencime, nëse është biznes i vogël apo i madh. Kujtojmë se kjo deklaratë e ministres vjen vetëm pak ditë pas gjobës së majme që iu vendos Gega Oil në depozitat në Porto Romano, pasi u kap me 233 ton karburant pa akcizë dhe u gjobit me 350 mijë euro.
“Kontrollet janë bërë në kuadër të aksionit që i kemi hapur informalitetit. Informaliteti cilësor është i njëjtë dhe i ngjashëm me fiskalin për të mos thënë që është prodhues. Duke mos përmbushur kërkesat, subjektet krijojnë si derivat infomalitetin fiskal. Kjo luftë do të intensifikohet. Duke qenë se sot po flasim për punën që inspektoratit kemi edhe disa pika në 6 mujorin e fundit dhe kemi plan pune si do të bëjmë. Para përfundimit të 2019 do të shtohen inspektorët. Brenda tetorit do të ngremë laboratorin e ri në Porto Romano për të hidrokarburet, duke ulur kostot si të inspektoratit por edhe subjekteve”, është shprehur ministrja Balluku.
I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe Admir Abrija, Kryeinspektori i Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial i cili ka dhënë edhe detajet për 6 mujorin e parë të këtij viti.
“Inspektorati ka parë masa për shkeljet. Bëmë një analizë risku, në hidrokarburet është e madhe dhe e ndjeshme. Analizat në këtë sektor i kemi konstatuar në jo pak raste me shkelje cilësore, nafte gaz dhe solar. Kemi marrë masa administrative. Kemi dhënë mundësi apelimi por janë lënë në fuqi masat. Tani po rrisim inspektimet. Do të rritet në numrin total 230 punonjës. Gjatë 6 mujorit të parë janë kontrolluar 3459 subjekte. Kemi rritje me 20%. 2477 inspektime. Janë penalizuar 44 subjekte”, ka bërë të ditur Abrija.