Nënkryetari i LSI Petrit Vasili ka reaguar ashpër pas deklaratës së ambasadorit të BE-së Luigi Soreca i cili tha në një intervistë për Euronews se reforma në Drejtësi është perla e Shqipërisë, jashtë rajonit apo në botë.
Por ndryshe nga ambasadori, Vasili, njëlloj si ish shefi i tij, presidenti Meta, mendon se reforma në drejtësi është e dështuar dhe e kapur nga Rama.
“Reforma në drejtësi, u kap, u zhbë dhe degradoi ndaj emrin e ka dështim dhe jo perlë!?
Ambasadori Soreca thote për Euronews:
“Reforma në Drejtësi është ndoshta ‘perla e Shqipërisë’, jashtë rajonit apo në botë.”
Reforma që shohin të gjithë shqiptarët është shndërruar në një kapje dhe dështim që s’ka nevojë për ndonjë shkollë të madhe për t’u kuptuar edhe nga shqiptari më i fundit.
Nuk është perlë drejtësia që në Gjykatën e Durrësit jep dy vendime për bashkinë se e urdhëron Edi Rama duke u bërë turpi i botës.
Nuk është perlë prokuroria që mbyll dosjet skandaloze, që janë të hapura nga mediat më të mëdha të botës.
Nuk është perlë drejtësia që në KLGJ dhe KLP mbushet me anëtarë të tyre pa asnjë integritet fallsifikatorë evazorë dhe spiunë të sigurimit.
Nuk është perlë drejtësia që nuk vepron ndaj KQZ që refuzon dekretet e Presidentit për zgjedhjet.
Ndaj i dashur ambasador Soreca shihe me kurajo dhe në sy dështimin e drejtësisë ashtu si bëjnë mbi 83% e shqiptarëve që nuk besojnë më tek ajo”, shkruan Vasili.
Më herët në shumë raste edhe presidenti Ilir Meta ka sulmuar hapur jo vetëm reformën në drejtësi por edhe ndërkombëtarët që e hartuan dhe e monitojnë si proces, ndërsa i ka akuzuar ata si bashkëpunëtorë me Ramën në kapjen e kësaj reforme.