Mbrëmjen e të enjtes Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga transformimi që po i bëhet Bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë. Shefi i qeverisë në një postim në rrjetet sociale, shkruan se “pak nga pak po del në dritë dhe Bulevardi “Ismail Qemali”, i cili ka qenë prej dekadash në degradim dhe zymtësie të pistë.
“Pak nga pak po del në dritë edhe Bulevardi “Ismail Qemali” në Vlorë, ku pas dekadash degradimi e zymtie të pistë, po rritet fuqia tërheqëse e qytetit turistik, vlera e apartamenteve e njësive tregtare, mundësitë e punësimit e të vetëpunësimit përmes shërbimeve, interesi për investime të mëdha private në turizëm”, shkruan Rama.
Më tej, kryeministri Edi Rama shprehet se “gur gur bëhet mur”, duke përballuar padurimin e vlonjatëve, ndërsa paralajmëron një tjetër investim të madh për qytetarët e Vlorës. “Gur gur bëhet mur e mur mur bëhet kalaja, duke përballuar padurimin epik të vlonjatëve dhe sharjet e përqeshjet e atyre që për çdo punë kanë një llaf të keq për të thënë. Së shpejti Sheshi i Ri i Flamurit dhe të tjera akoma…Vlora që Duam, Shqipëria që Duam”, shkruan Rama.