Messi tremb Barcelonën para nisjes së La Ligas, mungon në stërvitje

SPORT


Gjatë kësaj fundjave do të nisin pothuajse të gjitha kampionatet kryesore në Europë, mes tyre dhe La Liga. Kampionët e spanjës, Barcelona, duket se kanë marrë një lajm të keq para nisjes së sezonit. Gjatë stërvitjes së fundit, para ndeshjes kundër Atletiko Bilbaos, ylli argjentinas i Barçës, Lionel Messi nuk ka qenë në stërvitje. Mungesa e tij në stërvitje, e bën të sigurt edhe mungesën në ndeshjen e parë që do të luhet të premten në ndeshjen hapëse të sezonit për Barcelonën.

Trajneri Ernesto Valverde është pyetur për mungesën e Messit në stërvitje, duke u shprehur se “nuk mund ta rrezikojmë”. “Ne nuk mund të marrim rreziqe me lojtarët dhe sigurisht jo me të. Ai nuk është stërvitur me ekipin pasi ka pasur disa shqetësime. Ne do të presim pak për të parë se si shkon shërimi i tij. Po shkon mirë, unë e kuptoj, por duhet të presim dhe të shohim”, ka thënë Valverde. Argjentinasi pësoi një dëmtim në 5 gusht, në të njëjtën ditë kur ai u bashkua me ekipin pas pushimeve.

Ndërkohë, duke ndierë rrezikun se nuk do ta ketë dhe për shumë kohë në skuadër dhe me të njëjtin rendiment për shkak të moshës, Barcelona po kërkon pasuesin e Messit, duke tentuar rikthimin e brazilianit Neymar në Kamp Nou. Deri më tani negociatat mes PSG dhe Barçës kanë dështuar.



Skip to toolbar