Procesi i vettingut dhe reforma në drejtësi po kryhet drejtë dhe procesi është nën monitorimin e rreptë të përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë. Ambasada Amerikane në Tiranë ka postuar të martën një video për me reformën në drejtësi, përmes të cilës sqaron dhe njëherë se kjo reformë është një investim direkt i ndërkombëtarëve dhe se deri tani procesi është duke ecur në rrugë të drejtë. Përmes kësaj video SHBA i kthen dhe përgjigje sulmeve të presidentit Meta dhe përfaqësuesve të opozitës drejtuar reformës në drejtësi. SHBA e bën të qartë se Reforma në Drejtësi synon që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe se deri tani procesi është në rrugë të mbarë, pavarësisht akuzave të Metës dhe të opozitës se ajo ka devijuar dhe është kapur nga Rama.
Sipas SHBA-së në sistemin e vjetër gjyqësor kushdo që kishte pushtet dhe para ndikonte në vendimet e gjykatave, por me sistemin e ri kjo gjë është e pamundur. SHBA kujton gjithashtu se ngritja e SPAK pritet të bëhet shumë shpejt realitet. Kjo strukturë do të hetojë zyrtarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin dhe do të garantojë drejtësi të barabartë për të gjithë.
“Çfarë është reforma në Drejtësi? Në korrik të vitit 2016 parlamenti i Shqipërisë votoi unanimisht për të ndryshuar 1/3 e Kushtetutës dhe për të transformuar sistemin e Drejtësisë në mënyrë që të trajtojë si duhet korrupsionin. Kushtetuta e re siguron që Shqipëria të ketë gjyqtarë të pastër si dhe mbikëqyrje për të siguruar që kushdo vepron sipas rregullave. Si funksionon kjo? 800 gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë duhet të rivlerësohen nga vettingu. Vettingu gjatë rivlerësimit shqyrton nëse gjyqtarët dhe prokurorët kanë burime të pashpjegueshme pasurie, lidhje me krimin e organizuar dhe nëse janë të aftë. Vettingu siguron që gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të mos futen në sistemin e ri.
E dimë që ky proces po kryhet drejtë sepse vëzhgues europianë dhe amerikanë sigurohen që procesi të kryhet në mënyrë korrekte. ONM misioni i ndërkombëtar monitoron procesin dhe sigurohet që ai të kryhet sipas rregullave”, sqaron ambasada e SHBA-së.
Si do të garantojë sistemi i ri që të gjithë të veprojnë sipas rregullave?
Ambasada më tej shpjegon se me sistemin e ri krijohen dy organe të reja, KLP dhe KLGJ.
“Detyra e KLGJ është që gjyqtarët e rivlerësuar që kanë kaluar vettingun është të sigurohen që të vendosen në detyra të posaçme dhe të sigurohen që ata zbatojnë rregullat. KLP bën të njejtën gjë, por me prokurorët.
Le t’i shohim ato si forca policore e sistemit gjyqësor. Të dy organet përbëhen nga gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë të cilët kanë kaluar vettingun. Kanë po ashtu edhe anëtarë jo gjyqtarë dhe jo prokurorë si unë dhe ti për të monitoruar procesin dhe për të siguruar që gjyqtarët dhe prokurorët bëjnë punën e tyre. Këta anëtarë pra jo gjyqtarë dhe jo prokurorë kanë kaluar rivlerësimin e tyre të kryer nga avokati i popullit me ndihmën e ONM-së. Të dy këshillat u ngritën në dhjetor të vitit 2018 dhe tani janë në punë.
Aktualisht KLP po punon për të ngritur një grup të ri që do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht zyrtarë të korruptuar dhe anëtarë të krimit të organizuar. Këtë grup e njohim si njësia e posaçme anti korrupsion ose shkurt SPAK për të cilën do të flasim në një video tjetër. Ky organ do t’i çojë çështjet në gjykatën antikorrupsion, e cila do të ketë përgjegjësinë për të gjykuar dhe më pas për të dënuar zyrtarët e korruptuar dhe anëtarët e krimit të organizuar.
Në të kaluarën kushdo që kishte para apo pushtet mund të ndikonte në sistemin e gjykatave në favor të tij. Në sistemin e ri secili duhet të veprojë sipas rregullave. Secili duhet të jetë i barabartë para ligjit. Kjo është reforma në drejtësi”, sqaron SHBA.
Presidenti Meta doli hapur në shumë raste kundër reformës në drejtësi të cilën e emërtoi si Ramaforma, duke akuzuar kryeministrin Rama por kapjen e saj. Sulmeve të Metës nuk i shpëtuan as ndërkombëtarët dhe veçanërisht amerikanët. Presidenti i akuzoi ata se kanë kapur reformën një drejtësi së bashku me Ramën dhe kanë bërë përpjekje për krijimin e një “deep state”, ose të një shteti paralel në Shqipëri. Gjatë dy muajve të fundit SHBA janë investuar drejtëpërdrejtë në informimin e opinionit publik në lidhje me reformën në drejtësi duke postuar rreth 6 video në lidhje me ecurinë e kësaj reforme të cilat në thelb janë një përgjigje ndaj akuzave të presidentit por edhe të përfaqësuesve të opozitës. Duke ia bërë të qartë atyre se në krye te këtij procesi qëndron SHBA dhe BE dhe se të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, përfshi këtu edhe presidentin, kryeministrin dhe këdo tjetër./realstory.al