Prokuroria kërkon 12 vite burg për Saimir Tahirin, pritet vendimi

AKTUALITET


Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur paraditen e të martës në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku pritet të mësojë pretencën e Prokurorisë dhe vendimin e gjykatës në ngarkim të dosjes së tij. Sipas Report Tv, mësohet se Prokuroria do të kërkojë 12 vite burg për ish-ministrin. Nëse kërkesa do të pranohet nga gjykata, Tahiri përfiton ulje të 1/3 së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë është në dorë të gjykatës, nëse doo të konfirmojë ose jo kërkesën e prokurorisë.

Tahiri ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia, ndërsa kjo është paraqitja e parë e Tahirit në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas përfundimit të pushimeve të verës. Në fakt, në fund të muajit korrik, Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu seancën për vendimin në ngarkim të ish-ministrit të brendshëm, ndërsa Tahiri kërkoi gjykim të shkurtuar.


Kërkesa e tij është pranuar, ndërsa këtë të martë prokuroria pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare për hetimin ndaj Saimit Tahirit si dhe kërkesën për dënimin e tij. Ndërkohë, ish-ministri akuzohet për veprën penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar krimina”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Megjithatë, kujtojmë se Tahiri nuk është përfshirë në gjykimin e dosjes “Habilaj”, për të cilën drejtësia italiane ka dhënë vendimin me burg për disa të arrestuar, përfshi Moisi Habilajn, ish-kushuririn e Saimit Tahirit. Drejtësia në vendin fqinj nuk gjeti prova që implikonin Saimir Tahirin në trafikun e drogës të organizuar nga vëllezërit Habilaj në Vlorë, ndaj në Itali u pushuan hetimet për ish-ministrin e brendshëm.




Skip to toolbar