Ndryshe nga Basha që vijon të thërrasë “Rama Ik”, Kryemadhi e LSI-së ka bërë lëvizjen e re duke dalë jashtë “ngujimit” demokrat dhe duke deklaruar se është e gatshme të futet në zgjedhje me ose pa Ramën Kryeministër.
Edhe më herët, siç ishte rasti i dekretit të Metës për zgjedhje në 13 tetor, LSI tregoi se mbante një qëndrim ndryshe nga PD, duke u treguar e gatshme të mbështesë presidentin dhe madje të dërgojë kërkesë në KQZ për t’u regjistruar në këto zgjedhje. Krejt ndryshe nga aleati i saj opozitar.
Ndërsa Basha vijon t’i shmanget garës dhe zgjedhjeve, Kryemadhi duket s’e e ka kuptuar gabimin e bojkotimit të 30 qershorit, dhe sheh se zgjidhja e krizës do të vijë nga përballja në zgjedhje me ose pa Ramën kryeministër.
“Ne si LSI nuk kushtëzojmë asnjëherë momentin e zgjedhjeve. Pse e themi nuk kushtëzojmë momentin e zgjedhjeve, sepse ne mendojmë që zgjedhjet janë i vetmi instrument që në një farë mënyre do të zhbëjë të gjithë këtë nyje të lidhur keqas, për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, për shkak të mosfunksionimit të sistemit, të demokracisë. Ne duhet të përplasemi, ne duhet të luftojmë me bishën, sepse nëse nuk luftojmë me bishën nuk ka kush ta mundë bishën dhe në këtë rast, bisha është kapja e pushtetit nga kryeministri. Pavarësisht ligjëratës politike që ngre kryetari i PD-së dhe kryetari i opozitës që me një qeveri tranzitore dhe pa Ramën kryeministër, për ne si LSI mendojmë që është e domosdoshme përballja në zgjedhje e të gjithë opinionit publik. Në votimet e 30 qershorit, shqiptarët i dhanë një përgjigje jashtëzakonisht të madhe jo vetëm maxhorancës ku i thanë se e bojkotuan në 85% po i dhanë edhe një përgjegjësi shumë të madhe opozitës, ku i thanë që 85% e tyre iu përgjigjën aksionit politik të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet moniste të Edi Ramës”, u shpreh Kryemadhi në një intervistë për News 24.
Për mungesën e dialogut të deritanishëm midis palëve, Kryemadhi bën fajtor kryeministrin Rama, i cili sipas saj, është kthyer në një kryeministër arrogant.
Nga ana tjetër Monika Kryemadhi ka folur edhe për reformën në drejtësi dhe sulmet e opozitës drejtuar saj ndërsa ka akuzuar Ramën për kapjen e kësaj reforme.
“SPAK nuk mund të përdoret kurrë si kamzhik për luftë politike, sepse sot luftën politike më të madhe e bëjnë qytetarët shqiptare. Çdo drejtësi politike do të bëjë hero çdo njeri që do të gjykohet për politikë. Dhe i vetmi gjykim sot janë qytetarët që të gjykojnë me votë. Kush do drejtësinë e vërtetë të shkojë në zgjedhje, të dalim të gjithë në mënyrë të barabartë t’iu japim shansin qytetarëve ai është gjyqi më i mirë për çdo politikan shqiptar. Gjyqi më i mirë sot për çdo politikan, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pastaj gjyq politik, gjyq mediatik, gjyq të pandershëm ka sa të duan. Në fund të fundit gjykimin tonë përfundimtar nuk na e bëjnë as politika, as ambasadat, as gjyqtarë, as prokurorë. E bën Zoti lart, për këtë të jeni të qetë”, vijoi më tej Kryemadhi.
Kryemadhi ka folur edhe për komisionin hetimor ndaj Metës ndërsa ka thënë se “Presidenti është një makineri politike që është shumë e vështirë për ta ndalur”.
LSI e Kryemadhit bojkotoi zgjedhjet e 30 qershorit, së bashku me aleatin e saj PD-në, të cilët vunë si kusht të panegociueshëm largimin e Ramës nga posti i kryeministrit. Por pasi zgjedhjet e 30 qershorit u zhvilluan dhe u njohën nga të gjithë, Kryemadhi ka ndryshuar qëndrim dhe mendon se tani e vetmja zgjidhje janë përballja në zgjedhje me ose pa Ramën kryeministër./realstory.al