Kusht për negociata, regjistër me zyrtarë që duhen hetuar

AKTUALITET


Ngritja e SPAK dhe funksionimi i institucioneve të drejtësisë në mënyrë të pavarur duket se është kushti parësor i BE për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla e konfirmoi një gjë të tillë para mediave. Ai u pyet nga gazetarët nëse arrestimi i peshqve të mëdhenj është kusht për negociatat dhe tha se kusht është funksionimi i pavarur i drejtësisë. Por Balla shtoi se ngritja e SPAK do të shoqërohet edhe me krijimin e një regjistri me emrat e funksionarëve të lartë të shtetit që do të hetohen së shpejti. Duke konfirmuar pikërisht atë që realstory.al e ka paralajmëruar më herët: që Shqipëria duhet të japë prova se drejtësia funksionon, (pra që ka zyrtarë të arrestuar), në mënyrë që të fitojë negociatat.

“Duhet të kuptojmë se funksionimi i drejtësisë nuk bëhet me plan dhe numra funksionarësh apo përfaqësues të lartë përpara drejtësisë. Drejtësia duhet të funksionojë e pavarur nga politika. Ky ka qenë gur i themelit të funksionit të drejtësisë. Funksioni dhe ngritja e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, do te shoqërohet me një regjistër të personave të nivelit të lartë që duhen hetuar dhe gjykuar paanshmërish. Gjithmonë rruga e integrimit europian shoqërohet me standarde, kushte që çdo vend duhet t’i përmbush. Edhe vendet që janë anëtare të BE, shoqërohen me kushte që duhet të përmbushen”, tha Balla.

Më herët është deklaruar se SPAK do të jetë funksional brenda shtatorit. Madje kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi duket se ka vënë emrin e parë në listë, ndërsa ka deklaruar se puna e SPAK mund të nisë me dosjen e Adriatik Llallës, ish kryeprokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë. Por Ibrahimi ka premtuar se SPAK do të hapë edhe dosje të vjetra. Pritet që në bazë të këtyre “fryteve” të vlerësohet funksionimi i drejtësisë së pavarur. Ndërkohë që ndërkombëtarët në union kanë vlerësuar ecurinë e deritanishme të procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve pavarësisht kritikave dhe akuzave që vijnë nga opozita dhe presidenti./realstory.al



Skip to toolbar