Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Tiranë, ka arrestuar 3 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Arrestohet shtetasi me iniciale B.B., 39 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte dënuar nga drejtësia me masën e sigurimit “Arrest në burg”. Më datë 15 janar 2019, ky shtetas ka kanosur me armë zjarri shtetasin E. H., ku ka qëlluar në drejtim të tij për ta vrarë.
Është vënën nën pranga edhe shtetasi Xh. H., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në Maj të vitit 2018, pasi dyshohet se në bulevardin “Bajram Curri”, në bashkëpunim me shtetasin A. Gj, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. B, 25 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur në këmbë.
Gjithashtu në vijim te operacionit “Llogaritari”, u kap shtetasi E. B., 41 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Krijimi i skemave mashtruese me TVSH”.
Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.