Ilir Meta publikoi të premten në mesditë letrën drejtuar Prsidentit të Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, ku mban qëndrimin e tij në lidhje me rezultatet paraprake të Draft-Opinionit të kërkuar nga Kuvendi në lidhje me hetimet ndaj Presidentit për shkeljen e Kushtetutës. Meta, duke shprehur pakënaqësi me raportin e Komisionit të Venecias, pasi e quan “kontradiktor”, shprehet se “paraqitja e fakteve dhe rrethanave është e paplotë”.
“Projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor, me vlerësime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje. Krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit; Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë”, shkruan Meta.
Më tej, Meta i tregon kreut të këtij Komisioni, se si duhet të vepronin ekspertët e “Venecias”. Sipas Ilir Metës, ata duhet të ndërtonin një “opinion teorik” duke iu referuar vetëm bazës ligjore, ose një “opinion në themel”, duke u futur plotësisht në brendësi të çështjes. Ndaj, Presidenti arrin në konkluzionin, se “shmangia e një procesi të plotë”, sjell “vlerësim të gabuar”. “Shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike”, shkruan Meta.
Më tej, Meta rëndon akuzat ndaj Komisionit të Venecias, duke përdorur të njëjtën shprehje që “Venecia” përdori për Metën, “tejkalim kompetencash”. “Projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor, dhe për të cilat nuk është pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë. Vlerësimi i shkallës së rrezikut në Shqipëri duke u kufizuar në ballafaqimin e cunguar të deklaratave të autoriteteve publike është joprofesional dhe janë jashtë objektit të punës së ekspertëve të Komisionit të Venecias. Gjithashtu ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit”, shkruan Meta.
Sipas Ilir Metës, Komisioni i Venecias ndërhyri në kompetencat e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, duke cituar pjesë nga raporti i tyre. Meta ngre shumë pyetje drejtuar Komisionit të Venecias në lidhje me vendimmarrjen për përgatitjen e draft-opinionit të kërkuar nga Kuvendi. Presidenti fajëson direkt Komisionin e Venecias, se “ky draft-opinion rindezi polarizimin politik në vend, kur palët rivendosën urë dialogu”.
Pra, sipas Presidentit, publikimi i draft-opinionit të Venecias, largoi palët nga dialogu dhe i riktheu ato në pozicione fillestare. Pak ditë më parë, Komisioni i Venecias publikoi gjetjet paraprake të draft-opinionit, duke u shprehur se “Ilir Meta tejkaloi kompetencat kushtetuese” për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Një tjetër gjetje, ishte ajo se “nuk kishte asnjë problem mbajtja e zgjedhjeve pa partitë e opoziës”, duke legjitimuar në një mënyrë 30 qershorin. Gjithashtu, Venecia u shpreh se “ndonëse janë tejkaluar kompetecant e kushtetuese nga Ilir Meta, është Kuvendi që vendos për të shkarkimin e tij së bashku me Gjykatën Kushtetutese”. /Realstory.al/