Gjuzi bën të fortin me Ruçin: Më jep fjalën, se do kemi incidente

AKTUALITET


Ka nisur me debate seanca parlamentare e së mërkurës ku deputeti Kujtim Gjuzi është përplasur me deklarata me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçit.

Deputeti Kujtim Gjuzi ka marrë fjalën në foltore ndërsa ka shpërthyer në kritika. Gjuzi paralajmëroi kryeparlamentarin Gramoz Ruçi se nuk duhej të mohonte të drejtën e replikës ndaj deputetëve të cilët iu përmendet emri gjatë diskutimeve, duke thënë se në të kundërt do të ketë incidente.

“Mos më ndërprisni fjalën, se pastaj do ta marrim me zor dhe pastaj mund të ndodhin incidente. Këtu na kanë sjellë marrëveshjet që keni bërë. Kur me përmendet emri kam të drejtën të bëj replikë dhe ju nuk ma ndaloni këtë”, tha Gjuzi.

Ndërsa Ruçi i është përgjigjur se ka zbatuar vetëm rregulloren, duke e ftuar deputetin ta lexojë atë ndërsa paralajmëroi se çdo shkelje e saj do të ndëshkohet.

“Nuk është shkelur në asnjë pikë rregullorja e dhënie e fjalës së askujt deputeti. Herën e kaluar ke pasur për ju mbi 3 herë vërejtje. Nuk ju përjashtova nga seanca për shkeljen e rregullores për ndërhyrjet që keni bërë. Nuk duhet ta përsërisni”, tha Ruçi.

Gjatë seancës së të enjtes së kaluar Gjuzi replikoi disa herë nga vendi gjatë kohës që fliste kryeministri Rama, duke detyruar Ruçin t’i tërhiqte vëmendjen disa herë, por vendosi të mos e nxirrte jashtë sallës. Si rregull në rast se deputeti shkel rregulloren dhe i tërhiqet vëmendja disa herë brenda së njëjtës seancë, ai mund të nxirret jashtë.



Skip to toolbar