Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar me një mesazh të koduar për negociatat, duke ironizuar se ajo çfarë po ndodh ia kalon edhe fantazisë së Kafkës apo Kadaresë.
Shefi i ekzekutivit ka reaguar në “Twitter” me një mesash të shkurtër, ku thotë se “nëse shkrimtarët si Franz Kafka apo Ismail Kadareja do të kishin pasur mundësinë të ndiqnin nga brenda procesin e vendimmarrjes së BE-së, për të thënë po apo jo për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do kishin mësuar se realiteti do konkurronte edhe fantazinë e tyre”.
Por, edhe pse mesazhi duket se i drejtohet anëtarëve të BE, ai nuk lë mënjanë edhe “realitetin” shqiptar, ku edhe më herët, kryeministri Rama ka deklaruar se një grup i strukturuar ka punuar kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Ky mesazh duket edhe si një thirrje tjetër e Ramës, duke i kujtuar BE se është koha për t’i thënë “Po” përpjekjeve të Shqipërisë, pikërisht në kohën që Franca apo vende të tjera janë skeptike ndaj zgjerimit të BE.