Letra e babait të Alvinit: Qeveria po ndihmon, por koha nuk mjafton

AKTUALITET


Babai i Alvin Berishës, 11-vjeçarit shqiptar të mbetur në kampin Al Hawl në Siri, në kufi me Turqinë, ka bërë një letër publike së bashku me avokatin e tij, ku shprehet se shteti shqiptar po e ndihmon në gjetjen dhe kthimin djalit në shtëpi.

“Lajmi i fundit i sigurt që kemi, tregon që Alvini aktualisht gjendet në kampin Al Hawl. Kemi besim të plotë në punën që po bëhet nga ana e Shtetit shqiptar dhe që ilustroi edhe Kryeministri Zoti Rama gjatë konferencës për shtyp”, thuhet në një reagim të babait.

Afrim Berisha thotë se me kontaktet që ka në kampin Al Hawl, Alvini ndodhet sërish aty. Në vitin 2014, kur ishte vetëm 5 vjeç, Alvini është çuar në Siri nga e ëma, pa dijeninë e babait. I ati, Afrim Berisha, nuk ka kaluar ditë pa e kërkuar. As lufta, as frika, as largësia, as pengesa ekonomike e as ISIS nuk e kanë ndaluar, me bindjen e me dashurinë që vetëm një baba mund të ketë. Pas pesë vitesh, në 25 shtator 2019, e ka gjetur Alvinin në kamp, e ka përqafuar fort dhe i ka premtuar që tani nuk do ndaheshin më. Por forcat kurde që ruajnë kampin nuk e kanë lejuar që ta marrë me vete, sepse për këtë duhet që aprovimi të kërkohet dhe të merret nga Shteti shqiptar.

“Institucionet kompetente shqiptare janë në dijeni të kësaj situate dhe po punojnë për të mundësuar kthimin e tij në Shqipëri. Kemi besim të plotë tek puna që po bëjnë si për Alvinin, si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë që ndodhen aktualisht në Siri. Kemi besim dhe shpresë që nëse të gjithë bëjnë punën e tyre, Alvini do kthehet së shpejti. Por jemi edhe të shqetësuar, sepse lufta në Siri po ashpërsohet dhe koha nuk premton. Në Al Hawl ndodhen plot 73.000 veta që jetojnë në një situatë të tmerrshme, e kjo na tremb. Nëse sot e bëjmë dhimbjen tonë publike, e bëjmë këtë vetëm për t’ju lutur kujtdo mund të na ndihmojë, që të na ndihmojë: duke punuar më shpejt, duke na dhënë informacione mbi gjendjen e Alvinit, duke na mbështetur qoftë edhe me një fjalë të mirë”, thuhet në letrën e babait.

Një ditë më herët, në konferencën për mediat, Rama theksoi se po përgatitet një plan me partnerët strategjikë për nxjerrjen nga kampi të Alvinit dhe shqiptarëve të tjerë të bllokuar. Kampi me mbi 70 mijë persona ka me mijëra fëmijë, shumica e të cilëve kanë lindur aty, dhe gjithçka është në kufijtë e mbijetesës. Al Hawl është kampi më i madh në kufi me Turqinë, 29 mijë gra ndodhen aty jo vetëm nga Lindja e Mesme por edhe Evropa, gra luftëtarësh të ISIS.



Skip to toolbar