“Terroristët, plan për makinë-bombë”

AKTUALITET


Celula terroriste iraniane, e zbuluar nga autoritetet shqiptare kishte planifikuar që ta sulmonte kampin e muxhahedinëve përmes një makine-bombë. Lajmin e ka bërë të ditur, përfaqësuesi i muxhahedinëve për Uashingtonin, Ali Safavi, i cili në një intervistë për televizionin Ora, shtoi se terroristët kishin mbërritur deri në pikën e mbledhjes së materialeve të nevojshme. Safavi akuzoi gjithashtu ambasadorin e dëbuar të Iranit nga Shqipëria, si drejtues të lartë të Ministrisë së Inteligjencës.

Sipas tij, terroristët kishin nisur mbledhjen e bazës materiale të eksplozivëve ndërsa dyshohet se godisnin nëpërmjet një makine-bombë kampin Ashraf, gjatë festës së Novruzit të këtij viti, që përkonte me datën 22 Mars. Safavi tha gjithashtu se këto lëvizje të orkestruara nga qeveria e Iranit, tregojnë se regjimi i trembet forcës së muxhahedinëve.

Ali Safavi tha se “bazuar në detajet që ne dimë, besojmë se ata do të sulmonin përmes një makine-bombë për të kryer këtë akt terrorist, por dështuan. Gjithashtu, edhe në Paris në një mbledhje tonën ata janë munduar që të përdorin një pajisje mjaft të rrezikshme për të sulmuar. Fatmirësisht, në të dyja rastet autoritetet kanë reaguar në mënyrën e duhur, dhe sulmet janë parandaluar”.

Më tej, Safavi, akuzon edhe ish-Ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, si drejtues në Ministrisë e Inteligjencës Iraniane. Ai shprehet se ky i fundit ka qenë gjithashtu pjesë e tryezave të rëndësishme, si bisedimet për marrëveshjen bërthamore duke u ulur në të njëjtën tryezë me ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.

“Shqipëria përmes veprimeve të saj vendosi të dëbojë ambasadorin e regjimit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, i cili ishte në të vërtetë një drejtues i lartë i ministrisë së inteligjencës. Presidenti Trump i shkroi një letër Kryeministrin Rama, duke e falënderuar për vendimin e tij deçiziv. Ai më herët ka punuar dhe në Nju Jork, por roli i tij është lidhur më së shumti me inteligjencës, se sa me diplomacinë klasike” – deklaroi Safavi.

Në mbyllje, përfaqësuesi i muxhahedinëve, falënderoi Shqipërinë për mikpritjen e muxhahedinëve në kampet Ashraf. Ai u shpreh se autoritetet shqiptare kanë qenë mjaft të shpejta për të reaguar përpara çdo kërcënimi.



Skip to toolbar