Vendimi i presidentit Ilir Meta për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese duke krijuar kështu një ngërç për funksionimin e kësaj gjykate, ka sjellë reagimin e Astrit Patozit, i cili ironizon “dekretin” e tij të fundit. Patozi cilëson se vendi nga dy vite mungesë të Gjykatës Kushtetuese, sot “për të mbrojtur interesin publik” nuk do ketë një po dy Gjykata Kushtetuese, një të Metës dhe të Ramës. Madje ai nuk kursen ironitë ku shprehet që të krijojnë edhe një të tretë për Lulzim Bashën.
“Hahaha. Çfarë shteti qesharak! Kishim dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese fare, kurse tani, me sa duket, do të kemi dy të tilla njëherësh. Njërën, sipas Edi Ramës, dhe tjetrën, sipas Ilir Metës. E sigurt është se që të dyja po ngrihen për të mbrojtur interesin publik, ndaj dhe protagonistët duhen falenderuar me gjithë zemër për kontributin dhe sakrificën.
Problemi i vetëm që ka dalë është se pse të mos kishim edhe një Gjykatë Kushtetuese tjetër, sipas Lulzim Bashës. Me këtë rast, ekuilibri do të ishte i plotë, por edhe suksesi i garantuar’ shkruan Patozi.
Presidenti Meta dekretoi të mërkurën si anëtare të re të Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllarin jashtë çdo afat ligjor dhe një anëtare që ishte jashtë liste. Ndërkohë që për të njëjtën vakancë sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese është emëruar në mënyrë automatike Arta Vorpsi, pas përfundimit të afatit kohor 30 ditor.