Trajneri Edoardo Reja u shfaq i zhgënjyer pas ndeshjes me Andorrën. Tekniku nuk e kapërdinë dot barazimin 2-2 ndaj Andorrës, një skuadër modeste, ndaj të cilës mendohej se Shqipëria do të fitonte me goleadë. Kjo jo vetëm që s`ndodhi, por madje ishte Andorra ajo që na vuri në vështirësi. Reja tha se Shqipërisë nuk i lejohet që të bëjë gabime të tilla si ndaj Andorrës.
“Jemi të zhgënjyer pasi kishim një ecuri pozitive dhe nuk e doja këtë rezultat sot. Jemi të zhgënjyer si unë dhe lojtarët. Mendoj se këta djem gjatë javës në stërvitje treguan se e meritonin këtë shans. 11-tëshja jonë ishte e aftë, por mungoi shpejtësia në manovër. Në rastin e golit të parë një lojtar i Andorrës mori topin për 60 metra, për një skuadër si Shqipëria është e palejueshme kjo. Ishte një ndeshje e vështirë, nuk u përballëm me harmoninë e duhur”, tha trajneri.
Trajneri u shpreh gjithashtu, se disa lojtarë të kombëtares ruheshin nga dëmtimet. Reja e mban përgjegjësinë për vete, por sigurisht zhgënjimi ndaj lojtarëve është i madh. Ai shprehet se disa prej futbollistëve nuk dhanë 100% në fushë, ashtu sikundër kishin bërë në seancat stërvitore.
“Duhej një shpirt luftarak më i fortë, më erdhi keq. Mbase isha unë përgjegjësi që nuk i mobilizova. I thashë se ishte ndeshje e vështirë. Më dukej sikur disa lojtarë nuk përplaseshin dhe nuk jepnin 100% për t’u ruajtur nga ndonjë dëmtim. Jam i zhgënjyer, pasi nuk e meritonte Shqipëria këtë ndeshje. M’u duk e drejtë që të aktivizoja disa lojtarë që nuk kanë pasur shumë mundësi, për t’u dhënë minuta lojtarëve. Përndryshe përfundojmë duke luajtur 11 lojtarë. Do doja që edhe lojtarët të hyjnë avash në grup, duke qenë edhe ndikimi i emocioneve nuk arritën të tregonin 100% nga ajo çfarë kam parë në stërvitje”, tha Reja.