Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e të dielës në Elbasan. Dy të rinj, sipas Balkanëeb, u dërguan me urgjencë në spital, pasi dyshohet se konsumuan alkool tejmase. Ngjarja ndodhi në një nga lokalet brenda lagjes “Kala”, pranë Teatrit Skampa.
Më pas, ata kanë dalë jashtë barit dhe nuk kanë mundur të ecin, duke u shtrirë në bulevard. Menjëherë është lajmëruar ambulanca, e cila i transportoi të rinjtë drejt spitalit, ku do të kryejnë të gjitha ekzaminimet mjekësore.
Burime policore bënë me dije se po hetojnë rastin. Sipas burimeve zyrtare, do të shoqërohet në polici administratori i lokalit, banakieri dhe kamerierët, të cilët do pyeten rreth ngjarjes.
Paraprakisht, dyshohet se të rinjtë kanë konsumuar edhe lëndë narkotike, veç alkoolit. Adoleshentët kanë qenë të shoqëruar më herët nga një grup të rinjsh, disa prej të cilëve të skeduar nga policia si përdorues dhe shpërndarës lëndësh narkotike.