Përse opozitës i duhet që Edi Rama, t’i bëjë karshillëk Perëndimit?

OPINION


Nga Mero Baze

Në thelbin e betejës që po bëhet në emër të ndryshimeve për ligjin e medieve, duket se dominon më shumë dëshira për të portretizuar një kryeministër anti-Perëndimor, se sa një ligj problematik.

E vërteta është se projektet e deritanishme të ndryshimeve ligjore, kanë kaluar në disa drafte të komplikuara dhe të vështira, për ta ndarë thjesht të drejtën e informimit, nga e drejta për t’u mbrojtur nga shpifja.

Komplikimi i procedurave vlerësuese paraprakisht nga AMA dhe AKEP për disa prej rasteve, krijojnë dyshime se fati i një portali është më shumë në duar të burokratëve, se sa në duar të drejtësisë.

Por beteja politike kundër ligjit nuk ka të bëjë aq me ligjin, se sa me një ndjenjë shprese që kanë opozitarët e Edi Ramës, se mund të jenë në një pikë kthese të raporteve të Edi Ramës me Perëndimin.

Në betejën e tyre kundër Reformës në Drejtësi, pika e tyre më e dobët, ishte që reforma përkrahej nga Perëndimi, edhe pse akuzat ndaj Edi Ramës ishin të përbindshme. Por duket se ata e humbën atë betejë, dhe Edi Rama e ruajti mbështetjen e Perëndimit, edhe pse reforma kaloi momente të vështira mbijetese.

E njëjta situatë duket dhe tek ligji për mediat.

Duket se Edi Rama i futi kundërshtarët e vet në një pritshmëri false dhe ata më shumë se sa për ligjin që ende se kanë lexuar, duken të motivuar se Rama po hyn në një spirale përplasjesh me Perëndimin.

Dhe nëse kjo do të ndodhte, do të ishte shqetësuese. Por nuk duket se ka shenja.

Në minutat e  fundit, sot pasdite Qeveria ka pranuar pa asnjë rezervë ndryshimet e fundit të draftit, sugjeruar nga OSBE, të cilës ja ka besuar certifikimin dhe Bashkimi Europian.

Për këtë flasin postimet e fundit nga zyra e shtypit e OSBE në Vjenë, e cila duket e qetë se Parlamenti po pranon pa komente dhe kushte draftin e saj: https://twitter.com/OSCE_RFoM

Ndaj beteja e nxituar e opozitës dhe shpresa e saj që të gjente një çarje mes Edi Ramës dhe Perëndimit në këtë pikë, duket se po shkon drejt dështimit.

Shqipëria është vend që shpreson të hapë negociatat për BE dhe do drejtojë këtë vit OSBE-në. Çdo ligj apo gjest politik që bie ndesh me këtë rrugë, është i papranueshëm dhe një kryeministër, përfshirë dhe Edi Ramën, duhet marrë seriozisht si i dëmshëm, nëse tenton të përballë Shqipërinë me rrugën e saj europiane.

Për ironi të fatit, sot beteja më e madhe politike anti-Perëndimore në Shqipëri, është beteja kundër Refomës në Drejtësi, dhe flamurin e kësaj beteje e mban presidenti i vendit dhe kryetari i opozitës.

Ata kanë kthyer në platformë të tyre pavarësinë e vendit nga Perëndimi, betejën kundër “Republikës së ambasadorëve”, siç e quan Ilir Meta, dhe forcimin e sovranitetit kundër Perëndimit.

Ndaj kjo përpjekja e tyre për të përdorur një nga ndryshimet në ligjin e medieve audiovizive, si një shkak për t’u dukur pro-Perëndimor, duket false.

Jo se është vonë të bëhesh pro-Perëndimor, por thjeshtë se ata nuk duan të bëhen të tillë. Ata duan që edhe kundërshtari i tyre të prishet me Perëndimin, që pastaj të jenë të gjithë njësoj.

Se po të jetë për një ligj të keq për mediet, ata në fakt e ëndërrojnë më shumë se kushdo tjetër, pasi Berisha është autori i një ligji drakonian për shtypin, që u shfuqizua më 1997.

Problemi i tyre nuk është ligji, por shpresa për një betejë të Ramës me Perëndimin. Ndaj përzierja e tyre në këtë histori, nuk është betejë për gazetarët, as për fjalën e lirë, por një shpresë e vakët, mos bëhej dhe Rama njësoj si ata. Anti-Perëndimor!



Skip to toolbar