Radikalizmi dhe rehabilitimi i personave që kanë shkuar të luftojnë në Siri për ISIS ishte në fokus të diskutimit në emisionin “Real Story”. Një diskutim që mori shkas nga historia e Alvinit, 11-vjeçar dhe pse i njëjti operacion nuk mund të ndiqet në të njëjtën mënyrë edhe me fëmijët e tjerë. Koordinatori kombëtar për çështjet e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Agron Sojati tha se qeveria shqiptare prej një viti ka përpiluar planin për rimarrjen dhe riintegrimin e personave që ndodhen në Siri, por për shkak të mekanizmave, mungesës së logjistikës së duhur dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtar nuk është aq e thjeshtë sa duket.
“90 % e punës nuk bëhet e ditur, pasi po flasim për terroristë dhe jo turistë, por puna që bëhet është e madhe” u shpreh Sojati për gazetarin Sokol Balla, i cili shtoi se qeveria do të investojë për riintegrimin dhe rehabilitimin e kësaj kategorie.
“Alvini nuk është rasti i vetëm, qeveria ka një plan ndërinstitucional që daton para një viti por ndryshon me situatën sot, pasi më parë pritej një dorëzim të vullnetshëm të tyre drej ambasadave dhe shërbimeve diplomatike për tu rikthyer në vend, ndërsa sot flitet se çfarë qëndrimi duhet të mbajnë vendet në raport me sjelljen dhe nismave, ku qeveria shqiptare ka një vendim politik tani, për gratë dhe fëmijët që do të investohet për t’i marrë duke marrë të gjithë masat që parashikohen për riintegrimin dhe deradikalizmin e kësaj kategorie. 90 % e kësaj pune nuk është e dukshme për publikun dhe komunitetin, kjo sepse po flasim për organizata terroriste, të rrezikshme dhe jo për turistë” u shpreh Sojati.