SHBA përshëndet tryezën për reformën zgjedhore

POLITIKË


Ambasada Amerikanë në Tiranë ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes opozitës jashtëparlamentare dhe maxhorancës për t’u ulur në një tryezë për reformën zgjedhore. Ambasada thekson rëndësinë e këtij dialogu për të krijuar një reformë që trajton dhe parashtron të gjitha rekomandimet e ODIHR-it në mënyrë që të zhvillohen procese zgjedhore të besueshme dhe demokratike.

Në mesazhin e tyre, SHBA thekson se ky bashkëpunim të ecë përpara për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni.


Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it. Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, shkruan Ambasada Amerikane në Facebook.

Më herët opozita jashtëparlamentare pranoi të ulej në një tryezë dialogu me qeverinë dhe opozitën parlamentare për të diskutuar reformën zgjedhore në vend. Ky ishte një hap i rëndësishëm dhe një ndryshim qëndrimi nga ana e saj, ku më herët kishte deklaruar se nuk do të ulej në një tavolinë me kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe se nuk e njihte opozitën parlamentare. Të martën opozita jashtëparlamentare pranoi të dy këto faktorë dhe mandatoi dy përfaqësuesit e saj Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin. Pas përfundimit të tryezës për reformën zgjedhore, të gjitha palët në takim, si mazhoranca, ashtu dhe opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare u shprehën se reforma zgjedhore po bëhet me konsensus mes palëve dhe se kjo reformë të arrihet brenda 15 marsit 2020.




Skip to toolbar