Prezenca e OSBE në Shqipëri ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes palëve politike në vend për zhvillimin e tryezës për Reformën Zgjedhore. OSBE thekson se kjo marrëveshje është hapi i duhur për arritjen e një reformë të plotë që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndërsa shprehet se do të vijojë të jap kontributin e saj për realizimin e Reformës Zgjedhore.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore. E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prezenca është e gatshme të vijojë të kontribuojë në procesin e reformës zgjedhore, në përputhje me mandatin e saj” shkruan OSBE
OSBE ishte e para që zhvilloi tryezën për Reformën Zgjedhore ku ishin të ftuar të gjithë aktorët politikë. Në këtë tryezë PD u përfaqësua nga Ivi Kaso, i cili pasi dorëzoi shkresën me 5 pikat e Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore u largua nga tryeza. Në qëndrimin e saj zyrtar, opozita nuk e njihte legjitimitetin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, as kryetarin e saj Damian Gjiknurin dhe as opozitën parlamentare. Pasi kuptoi se kjo reformë do të kalojë vetëm përmes Kuvendit, ajo mandatoi dy përfaqësuesit e saj, Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin, të cilët u ulën në të njëjtën tryezë me Rudina Hajdarin dhe Damian Gjiknurin ku arritën edhe paktin se reforma zgjedhore do bëhet me konsensus mes palëve.