Një makinë tip “Benz” me targa AA 958 KS është përfshirë nga flakët në lagjen ‘Nënë Tereza’ në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa makina është shkrumbuar plotësisht.
Makina është në pronësi të Nikoll Prengës, i cili është me detyrë gardian në burgun e Shënkollit në Lezhë.
Nga hetimet e deritanishme ka dyshime se ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme, pasi mund të ketë lidhje me detyrën e policit apo biznesit që ai zotëron. Mjeti ishte i parkuar jashtë shtëpisë së efektivit si zakonisht, kur shpërtheu në flakë.
Për ngjarjen ka reaguar edhe efektivi Prenga i cili tha se ka dyshimet e tij dhe i ka treguar në polici. Efektivi mohoi për mediat se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e tij, ndërsa tha se ka konflikte pronësie për një biznes që ai disponon.
“Për mua është për t’u parë, se makina ime nuk ka pasur probleme teknike. S’ka pasur asnjë problem elektrik. Është për t’u parë gjithçka. Unë punoj në këtë burg, s’kam asnjë shkak për arsye detyre, por ngelet për t’u parë. Nuk kam asnjë konflikt pune. Kur nuk sheh njeri, dhe nuk ke parë e dëgjuar gjë, si vë dot gishtin kujt…Mund të kemi konflikte të vogla, por jo të mëdha. Ne kemi një biznes të vogël këtu dhe disa persona janë futur jashtë gjërave ligjore, sa i përket të drejtave pasurore. Ne i kemi paralajmëruar se janë futur gabimisht, pasi kanë marrë kontrata me dokumente false, çështje që ka shkuar dhe në polici. Dyshimet janë nga të gjitha anët dhe se di, jam pak i lodhur shpirtërisht. Apeli im është që të zbardhen të gjitha çështjet të tilla. Këto janë çështje terroriste. Nëse ekziston dora e njeriut, është terroriste”, tha Prenga.
Aktualisht policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe autorëve.