Dy operacione të suksesshme ka realizuar policia në Fier dhe në Vlorë duke goditur trafikun e lëndëve narkotike dhe duke vënë në pranga disa shtetas. Në Vlorë është arrestuar në flagrancë një shtetas 23 vjeçar ndërsa janë sekuestruar 2 dy armë zjarri me silenciator dhe 240 doza kokainë.
Ndërsa në Fier janë arrestuar 3 shtetas, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër, si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Janë sekuestruar 1,4 Kg Heroinë dhe 1 Kg Kokainë.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe 1 armë gjahu pa leje.
“Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
I. T., 47 vjeç, banues në Bishanak, Fier (i dënuar më parë për grabitje me dhunë).
G. T., 22 vjeç (djali i I. T), banues në Bishanak, Fier.
T. T, 51 vjeçe (kunata e I. T), banuese në Bishanak, Fier.
U proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë dhe vijojnë hetimet për të parë implikimin e tyre në këtë veprimtari kriminale.
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Z. T., 55 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor i shtetasve të arrestuar për këtë veprimtari kriminale”, njofton policia e shtetit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.