Qëndrimi i shefes së ONM, e cila një ditë më parë deklaroi se sulmet ndaj Vettingut dhe reformës në drejtësi janë të papranueshme, ka sjellë reagimin e ashpër të LSI. Sekretari organizativ Luan Rama, në një analizë të gjatë akuzon se edhe individë në radhët e ONM janë bërë palë të klientelizmit korruptiv. Duke analizuar qëndrimin e shefes së ONM, Genoveva Ruiz Calavera, Rama deklaron se pavarësisht se reforma në drejtësi duhet kryer, nuk duhen lënë pa përmendur edhe të gjitha defektet që kanë sjellë jo vetëm bllokim, të Gjykatë së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, por edhe vonesë të drejtësisë për qytetarët shqiptarë. “Fakti që Gjykata e Lartë ka mbetur vetëm me dy anëtarë edhe ata njëri pa mandat e tjetri i apeluar, i mohon çdo qytetari shqiptar të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor brenda vendit, e rrjedhimisht, dhe të drejtën e aksesit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke krijuar kështu bashkë me shkeljen e të drejtës, edhe precedentin e diskriminimit të qytetarëve shqiptarë në raport me Konventën, por edhe me qytetarët e vendeve të tjera që janë nën juridiksionin e GJEDNJ-së”, deklaroi Luan Rama.
“Reforma në drejtësi duhet kryer. Por që të kryhet, reforma duhet ndihmuar. Dhe që të ndihmohet për t’u kryer, duhet analizuar me shumë përgjegjësi, me shumë realizëm dhe vullnet pozitiv”, shprehet Rama.
Më tej, ai thotë se dhjetëra raste me emra konkretë janë penalizuar apo favorizuar padrejtësisht përmes aplikimit të standardeve të dyfishta, të selektimit politik apo edhe të klientelizmit korruptiv edhe në procesin e vettingut. “Për fat të keq, palë janë bërë edhe nga ata që duhej të ishin garantët e procesit, individë nga radhët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, akuzon Luan Rama.
Sipas tij, qëndrimi refraktar e gjykimi dogmatik ndaj vërejtjeve, egoizmi e duartrokitjet edhe kur shfaqen me naivitetin e analizave mediokre, nuk e ndihmojnë kryerjen e reformës në drejtësi, por e kompromenton atë dhe vret shpresën se drejtësia mund të bëhet.
Luan Rama bëhet kështu zyrtari apo ish zyrtari i tretë i lartë i LSI që sulmon Reformën por edhe autoritetet ndërkombëtare që morën përsipër atë. I pari ishte Petrit Vasili i cili prej dy muajsh kishte ashpërsuar retorikën kundër Reformës në Drejtësi. Aq sa u përfol se mospajisja e tij me vizë amerikane ishte pasojë direkte e këtyre qëndrimeve. I Dyti ishte ish kryetari i LSI Ilir Meta, i cili edhe nga pozitat rënduese si president I vendit shtriu goditjen jo thjesht mbi reformën sipas tij të bërë keq, por dhe ndaj ndërkombëtarëve që mbikëqyrën atë. Meta akuzoi direkt Euralius për vënie nën kontroll politik pasi kishte refuzuar një takim me të dhe kërkoi ngritjen e një Komisioni Ndërkombëtar tjetër që të monitoronte zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo solli reagimin e menjëhershëm të kreut të misionit Europian Soreca dhe të zonjës Calavera e cila foli për reagime kundër që vijnë nga ata “ që kanë frikë nga reforma në drejtësi” . Të shtunën paradite me një qëndrim zyrtar nga selia e LSI, Luan Rama la të kuptohet qartë se zonja Calavera ishte pjesë e këtij procesi sipas tij korruptiv në drejtësi që kishte përfshirë edhe ndërkombëtarët. Një ditë më herët këtë gjë, në rrjetet sociale e kishte thënë edhe Petrit Vasili.