FSHF ka nisur bisedimet për të financuar një stadium të ri. Pas stadiumeve të Elbasanit dhe Shkodrës, “Arenës Kombëtare” që është pranë përfundimit, si dhe “Zeqir Ymerit” në Kukës që pritet të nisë punimet, një tjetër impiant në Shqipëri bëhet gati për investime.
Ditën e sotme, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, si dhe presidentin e klubit të Apolonisë së Fierit, Koço Kokëdhima, me qëllim kryesor bashkëpunimin për nisjen e punimeve në stadiumin e Fierit.
Pas këtij takimi, është rënë dakord që të fillojë puna në “Loni Papuçiu”, për një stadium që do të shkojë deri në 8000 vende. FSHF pritet të paguajë për 1/3 e investimit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Qeveria dhe Bashkia Fier.
Stadiumi i cili me siguri do të ndërtohet nga kompanitë e Kokëdhimës, i cili njihet për aktivitete edhe në ndërtim, pritet të qetësojë presidentin e Apolonisë, i cili që prej përjashtimit nga PS, ka ngritur një aksion politik kundër ish beniaminit të tij, kryeministrit Edi Rama, bile duke kërcënuar se do të kandidojë në Tiranë.
Por qindra milionat që FSHF dhe qeveria do derdhin në arkat e Kokëdhimës mund të qetësojnë disi atë dhe financat e tij. Në fakt qetësimi u vu re në faqen e parë të gazetës Shekulli të martën, kur artikull i parë ishte ai që sulmonte direkt LSI për aferën e byzylykëve të të burgosurve.