Aksion italo-shqiptar kundër drogës, koka e krimit kapet në Vlorë

AKTUALITET


Një bashkëpunim i Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane është finalizuar me disa të arrestuar të akuzuar për bashkëpunim kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Arrestimet janë kryer në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “SABBIA” . Në operacion u përfshinë Departamenti i Policisë Kriminale, “Interpol” Tirana, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe “Interforca” italiane në Shqipëri

Arrestimet janë ekzekutuar në provincat e Firences, Sienës, Brindisit dhe në Vlorë, aktivizuar nëpërmjet Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor “Interpol” dhe “Interforca” italiane në Shqipëri.

Në Vlorë është kapur dhe arrestuar shtetasi Flodian Serjani, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër, të dy me masë sigurie “Arrest në burg”.

Në Itali është arrestuar 1 shtetas, ndërsa për 2 të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Masat janë lëshuar në përfundim të hetimeve të nisura në janar të vitit 2018, nga Skuadra Hetimore e Repartit “Operation”, që kanë mundur të identifikojnë një grup të organizuar kriminal në fushën e narkotikëve.

Substanca narkotike u soll nga Shqipëria në brigjet e Brindisit me përdorimin e anijeve, të cilat zbarkuan në zona të izoluara bregdetare. Këtu gjetën mbështetjen logjistike të atyre që janë prekur nga krimi i organizuar në Puglia, përfshirë Saverio Palma, i cili u arrestua sot.

Droga, nëpërmjet korrierëve, transportohej më pas në vende të ndryshme të tregut në Itali. Vendet ku transportohej lënda narkotike janë Roma, Napoli, Milano dhe Firenze.  Pikërisht në Toskanë, organizata kishte një bazë. Anëtarë të kësaj bande kriminale ishin Armand Lushaj, Indrit Hamzaj, Julian Aliaj. Ata dyshohet se shpërndanin drogën në komunat e Firences. Lënda narkotike sillej nga Shqipëria në Brindizi.

Ndërkaq, në mediat italiane thuhet se kreu i bandës kriminale dyshohet se është  Flodian Serjani, një trafikant droge me lidhje të forta në Toskana dhe që udhëtonte shpesh mes Shqipërisë dhe krahinës së Brindisit për të organizuar mbërritjen e ngarkesave. Serjani u arrestua sot në Vlorë, Shqipëri. Gjatë hetimeve kundër grupit, janë sekuestruar rreth gjysmë ton drogë në periudha të ndryshme kohore.



Skip to toolbar