Akuzat e opozitës për zgjedhjet, Prokuroria: Asnjë kallëzim nga partitë

AKTUALITET


Asnjë parti politike nuk i është drejtuar Prokurorisë për të bërë kallëzim penal për manipulime në zgjedhjet e 30 qershorit. Prokuroria njofton se pavarësisht akuzave në publik dhe media, partitë politike nuk i janë drejtuar këtij institucioni për të bërë padi.

Prokuroria bën të ditur se ka nisur disa procedime, kryesisht pas denoncimeve nga policia por jo nga partitë.

Kështu prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier ka regjistruar materialin kallëzues për shtetasit Alfred Davidhi e Klevi Berzhezha të cilët akuzohet se i bënin presion zgjedhësve në fshatin Topojë, Fier. Materiali është në fazë verifikimi.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë ka në fazë verifikimi deklaratën për shtyp të kryetarit të Partisë Demokratike, dega Korçë, ku përmenden regjistrime video në lidhje me parregullsi të procesit të votimit, rezultatet e të cilit do të raportohen në ditët në vijim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka regjistruar kallëzimin penal për veprën penale “Votimi më shumë se një herë” në ngarkim të shtetasit O.O. Ky material është regjistruar mbi bazë të referimit të Komisariatit të Policisë Cërrik datë 01.07.2019”, njofton prokuroria e përgjithshme.

Ajo shton se “përveç informacioneve të mësipërme, prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore kanë informuar se, deri në këtë moment, asnjë nga subjektet politike nuk ka bërë kallëzim/denoncim penal lidhur me procesin e zgjedhjeve vendore datë 30 qershor 2019, dhe se nuk janë filluar hetime kryesisht për materialet video të publikuara në media”.

Gjatë 30 qershorit opozita bëri disa akuza publike për blerje votash, madje publikoi edhe video si edhe për rritje të numrit të votave në krahasim me votuesit. Por përveç deklaratave për mediat, ajo nuk ka bërë asnjë kallëzim penal në prokurori.



Skip to toolbar