Kurti zbarkon në Durrës, Oda Ekonomike e Kosovës dhuron 100 tonë ndihma

AKTUALITET


Kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri i ardhshëm i Kosovës Albin Kurti ka mbërritur të premten në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës për të parë nga afër situatën pas tërmetit të fuqishëm. Kosova është ndër shtetet e para që iu gjet afër Shqipërisë në tragjedinë që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, ku si pasojë humbën jetën 48 persona dhe u plagosën 750 të tjerë.  “Erdhëm që të shohim konkretisht gjendjen. Besoj që në një krizë të tillë, ushtria është mjeti edhe mënyra më e mirë për organizim të duhur. FSK dhe Ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë në mënyrë të shkëlqyeshme. Me profesionalizmin e tyre, ata po na i ngrohin zemrat se do të dalim nga kjo gjendje e rëndë që na ka goditur. Besoj që dy qeveritë tona duhet të takohen dhe tema të jetë gjendja pas tërmetit”, u shpreh Kurti.

Kreu i vetëvendosjes gjatë të enjtes qëndroi në Gjilan, ku mori pjesë në varrimin e dy vëllezërve Abazi, të cilët u gjetën të vdekur nën gërmadhat e një hoteli në Durrës.


Ndërkohë kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj ka hapur parkun Inovativ Trajnues Kosovaro- Gjerman, në Prizren, për personat që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se është ndërtuar një Trup Koordinuese e nivelit qendror të Qeverisë, të Ministrisë së Brendshme, të Agjencive që janë të specializuara për temat e të zhvendosurve, për pranimin dhe integrimin e tyre.

Ndërsa Oda Ekonomike e Kosovës ka dhuruar 100 ton ndihma për të prekurit nga tërmeti.

4 maune , 4 kamione dhe 3 autobusë mbërritën në Shqipëri të shoqëruara nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Ndihmat që u siguruan nga subjektet private që bëjnë pjesë në Odën Ekonomike të Kosovës përbëhen nga 100 ton ushqime gjysmë të gatshme, produkte higjienike, veshmbathje dhe batanije.

Mes ndihmave të siguruara nga Oda Ekonomike e Kosovës ishte edhe një kuzhinë e lëvizshme dhe 100 vullnetarë me kapacitet për 10 mijë racione ushqimi të ngrohtë në ditë, për 7 ditët e ardhshme.




Skip to toolbar