Ambasadori italian: Zgjedhjet janë legjitime, kriza brenda opozitës

Më të fundit


“Zgjedhja për të mos marrë pjesë është një zgjedhje personale, që duhet respektuar, por që nuk i bën të pavlefshme këto zgjedhje.” Ky ishte mesazhi i Ambasadorit italian në Tiranë, Alberto Cutillo që dha gjatë një interviste në emisionin “Përballë” në RTSH. Cutillo tha se zgjedhjet e 30 qershorit janë legjitime dhe se pjesëmarrja në to është një zgjedhje personale, por gjithashtu bëri thirrje për opozitën e mbetur jashtë parlamentit dhe se ajo duhet të gjejë një rrugë brenda saj për të zgjidhur krizën në vend.

“Manifestimet e fundit kanë treguar se mund të manifestohet në mënyrë paqësore. Parlamenti sot ka një opozitë të re, që është legjitime, por e dimë të gjithë që opozita, në kuptimin e udhëheqësve kryesor të forcave të opozitës, është jashtë parlamentit. Duhet mbajtur një dialog i hapur me të gjithë. Opozita duhet të gjej në brendësi të saj zgjidhjet, të cilat i japin mundësinë e zgjidhjes së krizës. Për mua këto zgjedhje janë legjitime. Zgjedhja për të mos marrë pjesë është një zgjedhje personale, që duhet respektuar, por që nuk i bën të pavlefshme këto zgjedhje. Nga kjo situatë demokracia nuk del e ekzaltuar, por as e poshtëruar.’ – tha ambasadori Cutillo.

Ambasadori italian tha se kriza duhet të zgjidhet brenda opozitës, pasi aty lindi dhe u zhvillua. Të njëjtën gjë do të bënin edhe partitë e tjera në botë.

“Kjo është një krizë e ndërlikuar që ka lindur dhe zhvilluar në brendësi të opozitës dhe kësisoj i takon opozitës që ta zgjidhë. Besoj se në vende të tjera një krizë e tillë do të ishte administruar në brendësi të partive mbi bazën e rregullave të demokracisë së brendshme të partive, të cilat në Shqipëri janë disi të ndryshme. Partitë janë më të ngurta dhe kërkojnë t’i eksportojnë jashtë krizat, të cilat normalisht duhet të administrohen brenda tyre. Por besoj se në fund, partitë do të dinë të zgjedhin në interes të vendit. Ka diçka që nuk ecën në mekanizmin zgjedhor. Kjo mund të reformohet. Nëse nuk bëhet brenda 30 qershorit, të mos e kthejmë në një dramë”. – tha Cutillo



Skip to toolbar