Amnistia fiskale/ Ministria e Financave ende nuk ka marrë mendimin e ndërkombëtarëve

EKONOMI


Pavarësisht se nuk ka marrë ende konsensusin e ndërkombëtarëve, qeveria vijon konsultimin publik për draftin e ri të amnistisë fiskale.

Vetë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj deklaroi se nuk ka asnjë përgjigje nga organizmat e huaj që do t’i hapnin dritën jeshile vijimit të nismës të kritikuar që në krye të herës prej tyre.


Madje reagim nuk ka pasur sipas saj as nga Money Val, organi monitorues i përhershëm i Këshillit të Europës kundër Pastrimit të Parave, i cili e ka futur Shqipërinë sërish në listën gri të pastrimit të parave në vitin 2020.

“Gjatë kësaj javë kemi kryer 3 tryeza të rrumbullakëta me grupet e interesit, ndërkohë që kemi qenë në komunikim qoftë me Këshillin e Europës, qoftë me Bashkimin Europian këtu apo aktorët ndërkombëtar me qëllim një konsultim sa më të mirë. Në këtë fazë ne kemi dërguar projektligjin dhe jemi duke diskutuar. Asnjë nga aktorët nuk ka dhënë ende reagime për projektligjin në fjalë. Për aq kohë sa konsultimi nuk ka përfunduar ende, ne nuk kemi ende një draft përfundimtar dhe një vendimmarrje përfundimtare”, u shpreh Delina Ibrahimaj, ministre e Financave.

E pyetur mbi faturën financiare të amnistisë fiskale si dhe mbi pasuritë që pritet të amnistohen nga kjo nismë, ministrja tha se nuk ka ende të dhëna konkrete.

“Është e vështirë që të analizosh një dukuri që nuk ka ndodhur më parë, për të cilën nuk kemi një eksperiencë të mëparshme. Ne jemi duke bërë disa analiza bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë për paranë jashtë bankave në qarkullim me qëllim që të vijmë në një vlerë të përafërt, por kjo analizë nuk ka mbaruar ende”, tha Ibrahimaj.

E në fakt, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë paraja që qarkullon jashtë bankave llogaritet në 3.5 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar në dy dekada i qarkullimit të parasë në dorë. Shifra që dëshmojnë për nivel të lartë informaliteti dhe risk të shtuar për pastrim të parave nga aktivitete të paligjshme.




Skip to toolbar