Arbër Çekaj “i kokainës” kallëzon prokurorin e SPAK: Falsifikoi të dhënat

AKTUALITET


Pas padisë për koncensionin e sterilizimit, në SPAK ka mbërritur dosja e dytë dhe bëhet fjalë për 613 kg. kokainë që u kapën në Durrës në shkurt të vitit 2018. Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden” në kontenierët me banane të së cilës u kapën 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia ka depozituar pranë SPAK padinë penale ndaj prokurorit Edvin Kondili dhe oficeres së policisë gjyqësore Migena Haxhia, duke i akuzuar ata për falsifikim të të dhënave të TIMS.

Prokuroria ka kërkuar 21 vite burg për Arbër Çekajn i cili u ekstradua nga Gjermania në mënyrë që të përballej me drejtësinë në Shqipëri.  Por sipas tij prokurori Kondili dhe oficerja  gjyqësore, kanë falsifikuar të dhënat në mënyrë që të dënonin atë.


Në një reagim publik shpërndarë nga avokati Çekaj shprehet se nuk ka lidhje me drogën, por prej vitesh ka nisur një punë të ligjshme me frutat duke pasur edhe fitime të cilat i zgjeruan aktivitetin. Ai hodhi akuza të fortë ndaj prokurorisë shqiptare duke thënë se droga u zbulua nga italianët të cilët montuan kamera në kontenier për dorëzim të kontrolluar por hetuesit shqiptarë e ndalën operacionin duke mos kapur trafikantët e vërtetë dhe duke krijuar një grup kriminal imagjinar.

Arbër Çekaj u arrestua në Gjermani dhe pas arrestimit ai kërkoi që të mos ekstradohej, me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Ai kërkoi azil në këtë shtet por gjykata e Dyseldorfit vendosi pro ekstradimit të tij. Çekaj është pronari i kompanisë “Arbri Garden” në konteinerët me banane të së cilës në fund të shkurtit të 2018 u kapën edhe 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia.

Të arrestuar për sasinë rekord që u kap në Durrës në shkurt janë edhe Armando Pezaku shoferi i kamionit dhe Donaldo Lushaj, menaxheri i kompanisë, për të cilët Prokuroria ka kërkuar përkatësisht 13 dhe 14 vite burg.




Skip to toolbar