Kriza nga tërmeti, qeveria jep 3 mijë lekë për pensionistët

EKONOMI


Vetëm pak minuta pas paralajmërimit të kryeministrit se do të ketë një shpërblim për pensionistët, por që pritej se nuk do të ishte në vlerë të lartë, qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimin e kësaj kategorie për fundvit. Pavarësisht se vendi ndodhet në situatë të jashtëzakonshme për shkak të tërmetit, qeveria ka aprovuar shpërblimin për pensionistët në vlerën e 3 mijë lekëve të reja. Një vit më parë, qeveria dha 5 mijë lekë shpërblim për pensionistët.

Lajmi për dhënien e shpërblimit është bërë publik nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila bëri edhe një raport të financave për vitin 2019. “Jepet bonusi për pensionistët 3 mijë lekë. 663 mijë qytetarë përfitojnë 3 minë lekë shpërblim 20 miliardë lekë per rindertimin e banesave, ne po konsolidojmë masat që mund të marrim paraprakisht”, u shpreh Denaj.


Vendimi për dhënien e shpërblimeve për pensionistët u mor në ‘minutat e fundit’, një ditë para festës së Krishtlindjes, pas shumë konsultimeve në kabinetin qeveritar, duke pasur parasysh situatën financiare ku ndodhet vendi pas dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Pak minuta para mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Edi Rama tha se do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave mbi shpërblimet e fundvitit për pensionistët, duke dhënë shpresë se nuk e harrojë këtë kategori, megjithëse nuk pritet ndonjë vlerë e lartë monetare. Në komunikimin për mediat pas mbledhjes së fundvitit me kabinetin, kryeministri tha se ngjarjet e fundit të ndodhura pas tërmetit e ka bërë qeverinë më të kujdesshme, por jo të frenuar.




Skip to toolbar