Policia e Kavajës arrestoi një person, përfaqësues të një firme që po kryente punimet në një pallat, ku të martën më 22 tetor ra nga lartësia një prej punëtorëve, i cili gjeti vdekjen në spital. Sipas Policisë së Shtetit, mësohet se në pranga është vënë shtetasi me inicialet M.K., përfaqësues i firmës, ndërsa është shpallur në kërkim administratori dhe drejtuesja teknike e kompanisë. Gjatë ditës së martë, në Golem, në një objekt në ndërtim, një punëtor u rrëzua nga lartësia dhe më pas ndërroi jetën në spital, shtetasi me inicialet D.H.
Personi i arrestuar, me detyrë përfaqësues i firmës që kishte marrë përsipër kryerjen e punimeve në objektin e ndërtimit në Golem, dyshohet se shkeli rregullat e mbrojtjes në punë. Pas konstatimeve të kryera rezultoi se punëtori që humbi jetën, nuk ishte i siguruar dhe nuk kishte kontratë pune me firmën e punimeve që shtetasi M.K., përfaqësonte.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim policor administratori dhe drejtuesja teknike e firmës që kryente punimet, shtetasit I. K. dhe E. S., pasi nuk kishin marrë masa për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësim i paligjshëm”.