Austria pro negociatave, Cakaj optimist: Po punoj për të marrë PO

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg deklaroi të martën në Tiranë se Austria mbështet çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Ai tha se Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe meriton ndezjen e dritës jeshile nga Këshilli i Europës. Schallenberg tha gjithashtu se Austria do të japë 200 mijë euro në ndihmë të Shqipërisë për të përballuar me sukses pasojat pas tërmetit.

“Dua të shpreh ndjenjat thella për të prekurit nga tërmeti. Austria do të japë 200 mijë euro ndihmë dhe po shohim kërkesa të tjera që ka bërë kryetari i bashkisë së Tiranës. Por Austria do i ndihmojë të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Javën tjetër do të kemi vendimin e këshillit, ne duam të hapet drita e gjelbër për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne besojmë se kjo ka të bëjë me kredibilitetin e tij, kushtet janë plotësuar, tani duhet të bëjmë atë që na takon ne. Ne jemi përpara diskutimeve të vështira, nuk ka ende unanimitet, por miqtë tanë shqiptarë mund të mbështeten te ne”, u shpreh në një konferencë për shtyp, ministri i Jashtëm i Austrisë.


Edhe ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj u shpreh optimist për çeljen e negociatave. I pyetur për qëndrimin e Holandës dhe vendeve të tjera skeptike, Cakaj tha se ai po punon për të marrë një PO nga Komisioni Europian.

“Nuk kam frikë nga votat kundër, por jam i angazhuar maksimalisht për të siguruar votat pro”, u shpreh Cakaj, i cili theksoi dhe njëherë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të çelur negociatat.

“Diskutuam për mbështetjen që Austria do i japë Shqipërisë për negociatat, por edhe për të përballuar presionin dhe sfidat që vijnë nga ky proces. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave. Vettingu vijon me sukses, por edhe ngritja e trupave të reja të gjyqësorit, por edhe përmirësimi i historikut kundër krimit, prandaj meritojmë hapjen e negociatave”, tha Cakaj.

Ministri i Jashtëm në detyrë u ndal edhe tek zgjedhjet në Kosovë ndërsa deklaroi se Tirana zyrtare po pret nisjen e bashkëpunimit me qeverinë e re të Kosovës. “Ajo që ndodhi në Kosovë meriton dy komente, e para i dha shembull rajonit si organizohen zgjedhjet dhe me çfarë standardi të lartë ndodh ndryshimi i pushtetit dhe se ka një elektoral të pjekur dhe përgjegjshëm. Ne mezi po presim të fillojmë bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës. Kosova është realitet e njohin apo jo disa shtete”, tha Cakaj.

Kosova zhvilloi zgjedhjet të dielën e 6 tetorit ku fitues doli Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe tani pritet që së shpejti të krijohet qeveria e re.

Ndërsa përsa i përket negociatave, Këshilli i Europës pritet të vendosë përfundimisht për çeljen ose jo të tyre, më 18 tetor./realstory.al




Skip to toolbar