Balla: Ende vatra zjarri në qendrën tregtare në Lushnje, u desh ndërhyrja e RENEA-s për evakuimet

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se struktura shtetërore reagoi në kohë në lidhje me zjarrin e rënë në një qendër tregtare në Lushnje këtë të hënë. Nga Lushnja, Balla u shpreh se u desh edhe ndërhyrja e RENEA-s për të evakuar banorët që kishin mbetur në pallatin ku ndodhet qendra tregtare. Balla shtoi se do të kryhet hetim i plotë për të gjetur shkakun e zjarrit, teksa nënvizoi se forcave zjarrfikësve të qarkut të Fierit, do t’i shtohen edhe dy automjete të tjera. “Falë ndërhyrjes dhe koordinimit të mirë të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të Policisë së Shtetit, u desh edhe ndërhyrja e forcave RENEA, arritën të ndërhyjnë në kohë në banesa, për të cilat u informuam që nuk kishte banorë, por pas verifikimeve, djemtë e RENEA-s gjetën njerëz në këto banesa, të asfiksuar, ata janë tashmë jashtë rrezikut per jetën. E para, është që rreziku nuk ka përfunduar, ka ende disa vatra më të vogla zjarri në pjesën lindore të ndërtesës. Po punojnë forcat zjarrfikëse të Tiranës, Durrësit, Fierit, Lushnjes, po punohet në kushte të vështira. Është krijuar një zonë tampon që zjarri të mos shpërndahet. Unë nuk jam prokuror i çështjes, por dua t’ju them që policia ka krijuar nje kordon sigurie, dhe pasi të ketë përfunduar, do të ketë një hetim të plotë. Ndërhyrja nga ajri ishte hapi i fundit i sigurisë për të cilën i morëm masat, nëse do të ishte e nevojshme të bënim evakuim nga tarraca e godinës, do të përdorej helikopteri, por kjo nuk ndodhi. Ne kemi planifikuar dhe në ditët në vijim, shërbimet e zjarrfikëses të qarkut Fier, do t’i shtohen edhe dy makina të tjera të specializuara për situata të tilla të vështira. Strukturat shtetërore reaguan në kohë për t’iu përgjigjur një situate të vështirë”, theksoi ai./abcnews.al





Skip to toolbar