Balla: “Zgjedhorja”, gati në dhjetor

POLITIKË


Reforma zgjedhore pritet të miratohet deri në fund të këtij viti, të paktën për sa i përket adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Pas kryeministrit Rama, këtë e konfirmoi edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, i cili tha se deri për Krishtlindje, kodi zgjedhor do të jetë miratuar në parlament. Balla tha se miratimi sa më shpejt është i nevojshme si pjesë e 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman. Ai i bëri thirrje edhe opozitës parlamentare se adresimi i ndryshimeve të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në Kodin Zgjedhor duhet të jetë i menjëhershëm.

Brenda dhjetorit të këtij viti ne do të kemi miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Meqenëse në këtë tryezë ka përfaqësues të shumicës por edhe të opozitës parlamentare, unë dua të shpreh nevojën që Shqipëria, brenda dhjetorit të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këto janë pjesë edhe e detyrave të përcaktuara edhe nga Bundestagu, sepse nuk ka një matricë më të mirë të vlerësimit të progresit të Shqipërisë në rrugën e hapjes së negociatave, se sa vendimi i Bundestagut gjerman. Apeli im, edhe për grupimet e tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, është që, përtej interesave politike që mund të kemi, adresimi i nevojave të ndryshimit të Kod Zgjedhor të rekomandimeve të ODIHR-it duhet të jetë i menjëhershëm.


Besoj që Krishtlindjet e 2019 dhe marrja e presidencës së OSBE-së nga ana e Shqipërisë, do të na gjejnë me ndryshime të miratuara në Parlament.” – tha Balla gjatë seminarit të organizuar nga OSBE/ODIHR, ku morën pjesë deputet të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. 

Opozita parlamentare, e cila kërkon ndryshim të sistemit zgjedhor, ka deklaruar se diskutimi dhe puna për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it  dhe ato për ndryshimin e sistemit zgjedhor duhet të bëhen në mënyrë paralele, dhe miratimi në Kuvendi i tyre do të bëhet në të njëjtën kohë. Ndërsa mazhoranca deklaron se reforma të diskutohet në dy faza, ku fillimisht të miratohen rekomandimet e ODIHR-it dhe më pas sistemi zgjedhor, pasi ai kërkon më shumë kohë.




Skip to toolbar