Banorët e Laknasit në Tiranë janë ngritur në protestë kundër prerjes së pyllit dhe ndërtimit të një thertoreje në këtë zonë, nga një firmë private që ka marrë lejen e ndërtimit nga ish kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu.
Banorët shprehen se këtë tokë e kanë zënë tre persona që duan të ndërtojnë stallë e thertore derrash. Ata shprehen kundër ndërtimit të thertores pasi në këtë zonë janë edhe 3 të tjera dhe për më tepër ndërtimi i kësaj thertoreje do të sjellë edhe prerjen e pyjeve.
Firma private shoqërohet për të prerë pyjet me
polici private, ndaj dhe banorët janë përplasur me policinë gjatë ditës duke
shkaktuar momente tensioni. Madje dy prej banorëve humbën ndjenjat.
Banorët shprehen se toka është dhënë nga Xhelal Mziu tre ditë para se të
bëheshin zgjedhjet e 30 qershorit, ku bashkinë e Kamzës e fitoi Rakip Suli i
Partisë Socialiste. Po kështu banorët deklarojnë se kanë marrë edhe një premtim
nga kryetari i ri, Rakip Suli i cili u ka thënë se kjo çështje do të zgjidhet.
“U bënë që tre vjet. I shikoj njerëzit këtu çdo ditë. Dhe marr vesh se duan të bëjnë këtë thertoren. I bëj thirrje Xhelal Mziut të jetë e para e fundit herë, të mos e mbledhë popullin kështu, jemi hallexhi. Këtë tokë e kemi mbjellë vetë. Ne rrit këlysh, e Xhelali merr qen. Na kanë hyrë ujërat e zeza në shtëpi. Të heqë dorë të mos vijë më këtu. Do të ndërtohet stalla derrash. Thertore. Lejen e ka dhënë ish kryetari Xhelal Mziu tre ditë para se me ik me 27 qershor. Ka vu edhe tabelën”, është shprehur një nga banorët.
Ndërsa një tjetër thotë se në këtë zonë jetojnë 250 banorë të cilët kanë mbjellë pyllin me pemë dhe e konsiderojnë si oksigjenin e tyre. Ata tregojnë se zona më parë ka qenë moçalishte.
“Ne duam prej kryeministrit që kjo të anulohet dhe të bëhet verifikimi. Ne këtë vend nuk e lëshojmë vetëm me gjak. Ky është lumi i vdekjes për ne. Kemi patur kërcënime nga pronari”, është shprehur një tjetër banore.