“Basha Ik” nis takimet në bazë, Imami: Kreut të PD i mungon e ardhmja

AKTUALITET


Lëvizja “Basha IK” ka nisur aksionin me takime të ndryshme që po zhvillohen në rradhët e anëtarëve të PD-së në degët e kësaj partie. Lajmin e ka bërë të ditur Arben Imami, një ndër figurat e larguara, sikurse dhe shumë të tjerë, për shkak të përplasjeve me kryetarin e PD-së Basha. Imami është shprehur se “Bashës i mungon e ardhmja dhe PD-së i mungon mungesa e tij”. Ai ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur takimet informale të cilat synojnë diskutimin dhe nisjen e një cikli të ri demokracie që përfshin edhe llogaridhënien.

“Shëndoshja duhet të fillojë nga brenda në PD. Dhe për këtë qëllim kemi filluar një sërë takimesh krejt informale për t’u vetësqaruar se nëse e dëshirojmë fundin tonë, fundi do të vijë, por nëse kemi vullnetit dhe parimet e PD-së jo vetëm që nuk ka fund por duhet të iniciojmë një cikël të demokracisë partiake, asaj parlamentare, të kontrollit dhe llogaridhënies së politikës përfshi qeverisjen.

Vendi ka nevojë për një revolucion, por ky është ndryshimi i kulturës politike. Dhe këtë mund ta iniciojë vetëm PD-ja. Unë e di që realizimi i kësaj nuk është kaq e lehtë sa ta thuash, kjo nuk kërkon vetëm një përpjekje politike, por një sforcim të madh moral dhe social. Gjithësesi politika nuk është e parëndësishme, ajo nuk mund të rrijë në bisht”, është shprehur Imami në një intervistë për CNA.al.

I pyetur për aleancën me LSI-në, një parti që deri dje ishte në tepsinë e Ramës, Imami është shprehur aleancat janë të domosdoshme, por më e rëndësishme është fuqizimi i PD-së.

“Aleancat janë të domosdoshme. Aleatët tanë të përhershëm kanë qenë substancialë në ’92, 2005, 2013. Zgjerimi i aleancave nuk ka asgjë të keqe në vetvete, përkundrazi. Ajo që nuk duhet bërë është likujdimi i aleatëve siç ndodhi në 17 maj. Ajo që duhet bërë është fuqizimi së pari i partisë tënde”, është shprehur ai.

Imami ka renditur disa kritika drejtuar Bashës, duke nisur jo vetëm nga marrëveshja e 17 majit me Ramën, por edhe listën e deputetëve të përzgjedhur prej tij dhe “unitetin Rilindje-Republikë e Re”.

“Energjia, frymëzimi, mobilizimi, militantizmi në një parti nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë. Këto ndikohen dhe formësohen nga veprimi politik, qëllimet, puna, njerëzit. Edhe me pije energjitike anëtarët dhe votuesit e PD nuk mund ta kapërdinin kompromisin për bashkëqeverisjen, ndërprerjen e luftës kundër kanabizimit, koncesionarizimit etj të vendit nga qeveria rilindase, listën Basha, unitetin Rilindje-Republikë e Re.

Për hir të së vërtetës, në çastin kur njerëzit menduan se Basha do të mund ta çonte partinë përpara, ata e mbështetën partinë e tyre, i mbushën sheshet e protestës, treguan vullnet dhe sakrificë, militantizëm që tregon se kjo është një parti e madhe. PD nuk e ka mbyllur ciklin. Nëse PD do të dështojë në veprimin politik që ndërmori këtë vit, kjo nuk do të jetë për shkak të tyre”, është shprehur Imami.

Ai ka theksuar se ka qenë gjithmonë kundër djegies së mandateve të PD dhe kundër bojkotit të zgjedhjeve ndërsa thotë se askush nuk ka të drejtë të shuaj partinë, as kryetari i saj.

“Djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhje janë dy akte që së bashku nuk e përmirësojnë situatën e PD për sukses. Nëse kjo çon në “mbylljen e ciklit”, shumë e dëshiruar kjo sepse PD është e vetmja parti e madhe opozitare antikomuniste që mbijeton, çfarë duhet të bëjmë? Të konstatojmë dhe të presim “mbylljen e ciklit”? Këtë përgjigje mund ta japin vetëm anëtarësia e PD. Askush nuk ka liçencë për ta shuar partinë, as kryetari i saj”, është shprehur ai.

I pyetur për një marrëveshje të re Rama-Basha, Imami thotë se “ajo do të ishte thjesht fundi i palavdishëm i një partie që rrëzoi komunizmin, e hapi vendin dhe e anëtarësoi apo kandidoi atë në të gjitha institucionet perëndimore. Sigurisht që jam kundër; ne jemi jashtë sepse ishim kundër saj në 2017”.

Ashtu sikurse Realstory.al e ka parlajmëruar disa javë më herët, lëvizja “Basha ik” ka nisur pikërisht në muajin shtator. Nga takimet me bazën pritet që lëvizja të përvijohet dhe të shtrihet në të gjitha degët e PD-së. Figurat e larguara të PD-së, drejtues të kësaj lëvizje e kanë menduar një plan që si synim kryesor ka largimin e Bashës nga karrigia e kryetarit dhe forcimin e fuqizimin e partisë më të madhe opozitare, që për shkak të vendimeve të gabuara sot është pa asnjë pushtet dhe jashtë dyerve të parlamentit./realstory.al



Skip to toolbar