Kulluri: “Basha ik” nis brenda pak ditësh

Më të fundit


Nisja e lëvizjes “Basha ik” duket se është shumë afër krijimit. Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri ka konfirmuar atë që RealStory ka thënë më herët se në shtator nis lëvizja “Basha ik”, një revoltë e organizuar nga të mënjanuarit e PD, të cilët pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kanë qenë mjaft kritikë me qëndrimet e tyre ndaj kreut të opozitës, duke paralajmëruar një aksion për të ngjallur shpresën në PD. Gjatë një interviste në Report TV, Kulluri ka deklaruar se kjo lëvizje do të nisë për çështje ditësh dhe se pjesë e saj do të jenë shumë emra të njohur. Kulluri sqaron se kjo lëvizje ka si qëllim ringritjen e PD dhe kthimin e saj tek meritokracia, gara dhe vlerat, që duket se sa vjen dhe po i harron. Kulluri nuk ka kursyer as kritikat për Bashën duke thënë se për faj të tij Rama po fiton më shumë pushtet dhe po ndihet shumë komod, me aksionin politik të dështuar të opozitës, që tashmë ndodhet jashtë çdo pushteti.

Ka të dhëna të sigurta që mbështetja e kryetarit nga anëtarësia është në pikat më të ulëta në vite. 30 qershori është dështim spektakolar i opozitës dhe sot është jashtë çdo pushteti. Nuk e di ku mund të shkojë më keq PD-ja. Demokratët janë të pakënaqur. Ne jemi një grup njerëzish, emra të njohur, nuk e kemi nisur ende por është çështje ditësh që do të bëjmë takimet e para me bazën e partisë. Takimet e para me bazën e partisë. Me një qëllim, jo për të larguar Bashën dhe për të vendosur Topallin, Imamin, Gazmend Bardhin po të doni se këtu mund të bëhet kushdo kryetar partie. PD duhet të kthehet te meritokracia, përfaqësimi gara dhe ideologjia e djathtë e qartë. Djegia e mandateve dhe bojkoti duhet të ishte më mirë i menduar. Nuk mund të thuhet se nuk ka zgjedhje. Ka 60 kryetar Bashkia në zyrë, ky është fakt. Ata thonë që nuk janë deputet (opozita e re), këta janë deputet. Basha nuk i shet dot sikur nuk i njeh. Nëse ka njerëz krejtësisht anonim, s’është problemi i tyre po i partisë që i ka caktuar.  Që kur ka ardhur në pushtet Rama dhe Basha në krye të PD-së këtu nuk merr njeri përgjegjësi. Rama ndihet shumë mirë me këtë opozitë. “, tha Kulluri.


RealStory.al ka konfirmuar në fillim të gushtit se pjesë e kësaj lëvizje do të jenë emrat e njohur si: Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri, të cilët kanë mbajtur qëndrime të forta kundër Bashës pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar që kryedemokrati të mbajë përgjegjësi, si për djegien e mandateve, ashtu edhe për bojkotin e zgjedhjeve. Gjithashtu në mënyrë ekskluzive, RealStory konfirmoi edhe përfshirjen e emrave të tjerë si Arben Ristani, Ibsen Elezi, Keltis Kruja, Sherefedin Shehi , Myqerem Tafaj apo Bislim Ahmetaj dhe Genti Minarolli, një lëvizje që ka si qëllim ndryshimin nga poshtë lart të PD.




Skip to toolbar