Basha ‘lobon’ për negociatat me BE (pas takimit me zyrtarin e DASH)

AKTUALITET


Zyra e shtypit në Partinë Demokratike ka shpërndarë një lajm të hënën, ku njofton se Lulzim Basha po ‘lobon për hapjen e negociatave të antarësimit të Shqipërisë me BE’. Sipas njoftimit të PD, mësohet se kreu i kësaj partie është duke marrë pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillon punimet në Bruksel. Gjatë takimit me drejtues dhe përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, sipas PD-së, Basha u ka kërkuar mbështetjen e vendeve të tyre për hapjen e negociatave të Shqipërisë, si garanci për të ndërtuar një shtet demokratik.

“Lideri i opozitës ka kërkuar mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.  Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikishtetuese të 30 Qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD.

Më tej, citohet dhe fjala e Bashës, ku mësohet se sipas kreut të PD, hapja e negociatave do të sjellë mbikëqyrjen e BE për ndarjen e politikës nga krimi. “Hapja e negociatave është e rëndësishme, pasi do të sjellë një mbikqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë”, thuhet në njoftim.

Në fund, Basha, sipas njoftimit të PD, mësohet të jetë shprehur se vendi po kalon një krizë të thellë politike, ndërsa zgjidhja sipas tij, janë zgjedhjet e mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore. “Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike. Zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore”, mësohet të ketë thënë Basha.

Ky është qëndrimi i parë pozitiv, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, mbajtur nga Basha në muajt e fundit. Më konkretisht, ky qëndrim vjen fill pas takimit që Basha pati me zyrtarin e lartë të Deprtamentit Amerikan të Shtetit David Kostelancik, që zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri pak ditë më parë, me fokus të veçantë ‘influencën ruse’.



Skip to toolbar