Basha mbron Metën nga shkarkimi dhe paralajmëron: Nuk ka zgjedhje deri më 30 gusht

Më të fundit


Kreu PD, Lulzim Basha ka deklaruar nga selia blu se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale, madje deri më 30 gusht, dhe që askush nuk do e shkarkojë Presidentin e Republikës. Sipas tij, vendimi i Presidentit Meta është i shërben opinionit publik, por fjala i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, ankimim që sipas tij nuk mund të kryhet, pasi këtë gjykatë e ka shkatërruar Kryeministri Edi Rama.

“Është një periudhë e mjegullt politike, shqetësuese dhe ngatërruese për njerëzit, prandaj dua të ndaj me ju disa të vërteta dhe mendime. Dua të them që në fillim dy të vërteta, nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor, nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës”, deklaroi Basha. Sipas tij, Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me këto dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë. “Janë të dyja blofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët”, u shpreh kreu i opozitës. Më tej, ai vijoi me akuzat, duke u shprehur se Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është de fakto kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, kryepolici, kryedoganieri dhe kryetatimori i Durrësit.


“Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin? Ilir Ndrazhi përfaqësuesi politik i bandës së Avydylajve apo Jurgis Çyrbja, përfaqësuesi politik i bandës së Shullazit, Rrahman Rrahja apo Luan Harusha përfaqësuesi i bandës së Bajrave, apo Reme Lala, përfaqësuesja e familjes kriminale Lala? Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin, Damian Gjiknuri që donte të pastronte 30 milionë euro për llogari të Edi Ramës, duke falsifikuar edhe dokumentet zyrtare të qeverisë amerikane? Apo Arben Ahmetaj përfaqësuesi i një klani mafioz ndërkombëtar të plehrave? Apo Taulanti i Begos dhe i Toyota Yaris?”, ngriti pyetje Basha, teksa shtoi se vendimi i Presidentit i shërben opinionit publik. Ai rikujtoi se e mbështet atë, por fjala nëse është i ligjshëm apo jo, sipas PD-së, i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Përtej çdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Gjykatën Kushtetuese e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet”, deklaroi kryedemokrati.

Në fund, Basha dha edhe një mesazh se zgjedhje nuk do të ketë para shtatorit dhe nuk heq dorë nga kushti që Rama të japë dorëheqjen si Kryeministër. “Asnjë Pazar pa largimin e Ramës, populli nuk ka asnjë mundësi të zgjedhë. As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht. Jo përpara se të largohet Edi Rama nga kryeministër, dhe jo para se Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe dhjetëra funksionarë socialistë dhe bashkëpunëtorët e tyre të botës së krimit të dalin para drejtësisë për vjedhjen e zgjedhjeve, për shkatërrimin e themelit të rendit demokratik”, tha Basha.




Skip to toolbar