Basha njofton krijimin e komiteteve të shpëtimit … të rendit kushtetues dhe moslejimit të zgjedhjeve në 30 qershor

Më të fundit


Kryedemokrati Basha ka mbledhur të martën Këshillin Kombëtar të PD-së, ku pasi vlerësoi Presidentin Meta për dekretin për anulimin e zgjedhjeve, udhëzoi strukturat të organizohen që më 30 qershor të mos lejohet asnjë proces votimi fals.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha mësohet të ketë deklaruar se objektivi kryesor i PD-së dhe i opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Edi Rama, si mënyra e vetme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. “Ne ia dolëm që të ndalojmë procesin fals dhe kriminal të 30 qershorit. Tashmë është e qartë që nuk do ketë zgjedhje lokale pa opozitën”, u shpreh kreu i opozitës, duke vënë në dukje se gjithçka ka ndodhur deri tani për frenimin e një procesi kriminal njëpartiak është meritë e drejtpërdrejtë e qëndresës së shqiptarëve të bashkuar, përtej bindjeve politike. Basha përforcoi mesazhin kryesor të opozitës se “zgjedhjet pa dekret presidenti nuk janë zgjedhje dhe se zgjedhjet pa opozitën nuk janë zgjedhje”. Një ditë më parë ai kishte njoftuar krijimin e Aleancës Kombëtare Qytetare në gjithë qytetet e vendit për “mbrojtjen e kushtetutës dhe moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve”, çka nga kritikët e tij shihet me ironi si një ngjashmëri gazmore me Komitetet e Shpëtimit të vitit 1997.


Burimet pranë PD thanë se Basha u kërkoi anëtarëve të forumit më të lartë politik vendimmarrës të Partisë Demokratike që gjatë gjithë kësaj kohe të rrisin angazhimin publik qytetar në nivelin më maksimal. “Ne duhet të jemi gati të bëjmë detyrën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues dhe për të mos pranuar asnjë proces votimi fals, në shkelje dhe dhunim të Kushtetutës”- u shpreh Basha i cili tha se këto javë janë përcaktuese për 10-15 vitet e ardhshme.

Po ashtu, ai ka deklaruar se tashmë sipas tij është e sigurt që vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Është e sigurt që do të ketë zgjedhje të parakohshme. Është e sigurt, është beteja jonë. Detyra jonë është që ta bëjmë bashkë me shqiptarët. Ne ia dolëm që të ndalojmë procesin fals dhe kriminal të 30 qershorit. Tashmë është e qartë që nuk do ketë zgjedhje lokale pa opozitën. Zgjedhjet pa dekret presidenti nuk janë zgjedhje dhe se zgjedhjet pa opozitën nuk janë zgjedhje” tha ai.




Skip to toolbar