Basha: Nuk lirojmë bashkitë pa një proces të rregullt zgjedhor

Më të fundit


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar nga Mallakastra se kryetarët e djathtë nuk do i lirojnë bashkitë pa një proces të rregullt zgjedhor, duke artikuluar për herë të parë këtë qëndrim që më herët e kanë mbajtur bashkiakët e djathtë. I pranishëm në një takim informal në Mallakastër, lideri demokrat ka thënë se kryebashkiaku, Agron Kapllanaj do të jetë kryetari legjitim i Mallakastrës deri në një proces të rregullt zgjedhor, duke nënkuptuar, ashtu siç vetë kryetarët e bashkive aktualë kanë deklaruar më herët, se i njëjti veprim do të kryhet nga të gjitha bashkitë e djathta, pasi sipas tij, 30 qershori ishte një pikë kthese për zhvillimet politike.

 “30 Qershori është një masakër elektorale e provuar në sytë e secilit. Përgjegjës kryesor për këtë krim është Edi Rama. Bashkia Mallakastër ka një kryetar legjitim. Ai është Agron Kapllanaj. Derisa të ketë një proces të rregullt zgjedhor, ku përsëri do të konfirmohet si Kryetar Agron Kapllanaj”, u shpreh lideri i opozitës në takimin informal me drejtuesit e degës së PD në Mallakastër. Megjithatë, kjo është një mënyrë e Bashës për të mbajtur afër bashkiakët e djathtë, të cilët kanë dalë kundër Bashës, duke thënë se janë të gatshëm që të hyjnë në zgjedhjet lokale në datën që ka dekretuar presidenti Meta (13 tetor). Me këtë qëndrim ata janë shfaqur të zhgënjyer për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, pasi kryedemokrati u kishte deklaruar se nuk do të kishte zgjedhje. Por kundër kësaj dëshire të bashkiakëve të djathtë, Basha ka deklaruar se nuk është problem data e zgjedhjeve, por largimi i Ramës nga qeveria. Nga ana tjetër edhe LSI është treguar e gatshme që zgjedhjet të kryhen më 13 tetor, ndërsa dhe partitë e vogla kanë filluar të pranojnë përçarjen në koalicionin e opozitës. Në këto rrethana, Basha duket se po kalon në mbrojtje që të mbajë rreth vetes bashkiakët, të cilët kanë qenë një forcë për të mbajtur gjallë edhe protestat e opozitës, më shumë sesa kryetarët e degëve të PD në rrethe.





Skip to toolbar