Basha “pajtohet” me Metën, por kaotik për 13 tetorin: Ka zgjedhje por PD nuk hyn

AKTUALITET


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli të premten në një konferencë për shtyp ku u përpoq të pajtohej me presidentin Meta, i cili vetëm një ditë më herët e kërcënoi hapur se do t’i merrte drejtimin e opozitës në rast se ai nuk përballet me Ramën në zgjedhje më 13 tetor. Por gjithsesi kreu i PD-së, u shfaq kaotik në qëndrimet e tij, ndërsa nga njëra anë e cilësoi 13 tetorin si datën e vetme kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve nga ana tjetër tha se PD nuk do të marrë pjesë.

Lidhur me pyetjen se përse nuk u regjistrua në zgjedhjet e 13 tetorit, Basha u përgjigj se partitë politike nuk shkelin kushtetutën nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje,  prandaj është në dorën e tyre të regjistrohen ose jo.


“13 tetori është e vetmja datë kushtetuese, dhe të gjithë institucionet përgjegjëse duhet të respektojnë dekretin e Presidentit.

Kush do të veprojë kundër do të dalë para përgjegjësisë. Detyrimet kushtetuese të KQZ janë të përgatiten për zgjedhje.

Nëse partitë nuk hyjnë në zgjedhje nuk kanë shkelur kushtetutën, por kur institucionet shkelin kushtetutën do të dalin para ligjit dhe herët ose vonë do të mbajnë përgjegjësi,”-ka thënë Basha duke e bërë më shumë lëmsh qëndrimin e tij.

Ai u përpoq ta shfaqte qëndrimin e Metës në të njejtën linjë me atë të opozitës, megjithëse deklaratat e presidentit kohët e fundit kanë qenë sulme të hapura kundër Bashës dhe qëndrimit të tij të pandryshuar për të refuzuar 13 tetorin.

“Presidenti po përpiqet në mënyrë aktive në zgjidhjen e krizës. Thelbi i qëndrimit të presidentit është i njëjtë me qëndrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë, që ne kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhje. Qëndrimi ynë ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Edi Rama ka qenë i qartë, transparent, i argumentuar dhe tashmë i faktuar”, shprehet Basha, ku paradoksalisht brenda një paragrafi ka dy fjali me qëndrime të ndryshme.

Basha gjithashtu është i paqartë edhe kur i përgjigjet pyetjes se si do ta largojë Edi Ramën kur nuk futet në zgjedhje.

“Edi Ramën do e largojmë përmes një marrëveshje që do të vijë nga dialogu. Ne jemi të gatshëm për dialog, por ai refuzohet nga kupola e krimit që është Edi Rama”, thotë Basha, ndërsa shton më tej se ai ende shpreson që Rama të japë dorëheqjen pasi, sipas tij, kështu bëjnë liderët në Europë kur përballen me akuza të forta si përgjimet e publikuara nga BILD.

Më tej Basha zbulon se aksioni i opozitës në shtator do të jetë nisja e protestave, ndërsa shton se ato nuk janë ndërprerë kurrë, megjithëse protesta e fundit e PD-së ka qenë ajo e pas 30 qershorit dhe më pas u shtynë për shkak se njerëzit ishin me pushime.

“Nuk ka pikë dyshimi që opozita do vijojë me protestat në shtator sepse ne nuk jemi larguar asnjëherë”, thotë Basha, i cili vazhdon të mbrojë aksionin 6 mujor të PD-së, që nisi me djegien e mandateve të deputetëve dhe bojkotin e 30 qershorit.

Ai sulmoi mediat duke thënë se ata janë kthyer në mercenarë dhe paguhen nga Rama e oligarkët e tij kur shkruajnë se PD dështoi me 30 qershorin dhe me djegien e mandateve. Për Bashën është krejt e kundërta, që të dyja këto vendime kanë qenë të drejta sipas tij.

Basha vazhdon të shpresojë se zgjidhja do të vijë nga ndërkombëtarët. Ai bëri të ditur se delegacione të ndryshme ndërkombëtarësh do ta vizitojnë Shqipërinë gjatë muajit gusht dhe shtator. “Vizita do të ketë shumë edhe në gusht, të faktorit ndërkombëtar, por pengesa e vetme për zgjidhjen e krizës me pasoja të rënda për sigurinë dhe stabilitetin e vendit është refuzimi i Ramës, për të pranuar krizën dhe për ti dhënë zgjidhje krizës sipas parimeve dhe standardeve evropiane”, tha Basha i cili kërcënoi se nëse vazhdohet kështu vendi rrezikon shumë.

Një tjetër pikë e konferencës ishte përpjekja e Bashës për të treguar se opozita nuk është e përçarë, pavarësisht faktit se si Mediu ashtu edhe Kryemadhi iu drejtuan KQZ-së me kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje dhe PD, jo. Basha tha se ky vendim i aleatëve është rakorduar në tryezë me të, por ai i qëndron vendimit politik të marrë nga strukturat e partisë se nuk ka zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa qeveri teknike. Pra edhe gjatë konferencës së të premtes Basha nuk ofroi asnjë ide sesi do të zgjidhjet kriza, po thjesht përsëriti qëndrimin e tij të pandryshuar. Nuk dihet ende sesi do të lexohet nga Meta ky qëndrim i tij, i cili të enjten në një mesazh drejtuar Bashës tha se Rama nuk mundet me fjalë por duke u përballur në zgjedhje. Madje Meta me gjuhën e kryeopozitarit bëri thirrje që opozita të bashkohet dhe të mbështesë dekretin e tij./Reasltory.al




Skip to toolbar