Lulzim Basha mblodhi të shtunën pasdite krerët e degëve lokale të Partisë Demokratike. Për herë të parë, si duket për të shmangur spekulimet, PD shpërndau një deklaratë për mediat. Por, komunikata, më shumë se sa për dhënë informacion “zyrtar” dhe jo nga burime gazetarësh, rreth mbledhjes, duket se ka një tjetër qëllim. PD, pasi bën një përmbledhje të asaj që ndodhi në takim, në rreshtat e fundit të komunikatës, njofton një lajm. Basha ka vendosur të dëgjojë kritikët, ka vendosur hapjen e PD.
“Pranë Partisë Demokratike do të ngrihet shtabi qendror elektoral dhe politik, shtabe që do të shtrihen në mënyrë piramidale në të gjithë vendin. Puna do të përqëndrohet në planin e ofrimit të zgjidhjes për qytetarët, denoncimeve për aferat korruptive dhe kriminale të Qeverisë, bashkimin i faktorëve dhe aktorëve me potencial njerëzor dhe elektoral pranë PD, si hapja e partisë për njerëz me integritet profesional dhe moral”, shkruhet në deklaratën e PD.
Ky është paragrafi më i rëndësishëm i deklaratës, ndonëse i fshehur afër fundit të saj. Basha dëgjon kritikët e tij, të lëvizjes “Basha ik”, që i kanë kërkuar prej kohësh hapjen e partisë. Ky është një qëndrim i ri i kryedemokratit, që vjen jo vetëm prej presionit të ish-drejtuesve të PD, por edhe pas presionit të aleatëve, të cilët, në një listë me 7 kërkesa, një ndër kryesoret, kishin hapjen e opozitës dhe vetë PD për kapacitete njerëzore “që nesër do të jenë pjesë e qeverisë”.
Prej kohësh, nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Arben Ristani, e shumë ish-drejtues të lartë të PD, i kanë kërkuar kryedemokratit të hapë partinë. Megjithatë, ndonëse kërkesa e tyre filloi shumë herët, Basha pranon “hapjen e PD-së”, vetëm pak ditë pasi Jozefina Topalli, nga Shkodra, hodhi idenë e krijimit të një lëvizje të re politike, ndërsa deputetja e djathtë në Kuvend, Rudina Hajdari paralajmëroi “veton” për Reformën Zgjedhore. Padyshim, nëse kjo lëvzije do të krijohet, elektorati do të jetë i djathtë, madje konservator, duke nisur nga ish-të përndjekurit, pronarët dhe shumë të pakënaqur nga drejtimi i PD-së nga Lulzim Basha.
Kryedemokrati duhet të jetë trembur nga kjo lëvizje. Fakti që ai pranon “një kërkesë të kritikëve të tij”, fill pas deklaratës së Jozefina Topallit, lë të kuptohet se Basha nuk do të pranonte kurrësesi një lëvizje tjetër të djathtë që do të copëtonte më tepër PD. Ndaj, pritet lëvizja e radhës e Bashës, nëse pas dhënies së mesazhit publik për “hapjen e partisë”, siç Berisha bëri në 2005, do t`u shtrijë dorën kritikëve të tij, apo jo!
Argumenti i mësipërm, forcohet dhe më tej, me pjesë të deklaratës, ku Basha, u kërkon drejtuesve të PD në rrethe të “mobilizohen për zgjedhje dhe aksion politik”. “Pas raportimeve për përmbushjen e detyrave për organizimin e partisë, që janë realizuar në periudhën korrik-shtator, Basha ka theksuar se tashmë partia duhet të fillojë menjëherë përgatitjet elektorale dhe për aksion politik”, shkruhet në hyrje të komunikatës së PD.
Më tej, evidentohet kriza politike, ndërsa sipas njoftimit të Partisë Demokratike, “detyra e saj dhe opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t`i hapur rrugë perspektivës europiane të Shqipërisë”, shkruhet në deklaratë. Më tej, përsëritet kushti i opozitës për daljen nga kriza, që sipas Bashës janë “zgjedhje të njëkohshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garanton standarde për zgjedhjet e lira e të ndershme”. Këtu bie në sy fakti që Basha nuk përmend “Rama ik”, kushtin e panegociueshëm deri pak kohë më parë.
Në fund të deklaratës, mësohet se Basha “u ka paraqitur kryetarëve të degëve një kalendar të qartë dhe konkret pune me përgjegjësi dhe afate të qarta”. Ndërsa, protestat, PD i ka shtyrë për një afat të dytë, që siç shkruhet në deklaratë, kjo bëhet për të “shmangur shfokusin nga çështjet kryesore që janë aktualisht në vëmendje: fazën finale të zgjidhjes së krizës politike dhe procesi i integrimit europian”, përfundon deklarata. /Realstroy.al/