Basha: “Rama Ik”. Por kreu i PD s’është për “kryengritjen” e Berishës

Më të fundit


Kreu i opozitës, Lulzim Basha nuk tërhiqet nga kërkesat për largimin e Ramës dhe qeveri tranzitore për t’i dhënë fund krizës politike, pavarësisht mesazheve të ndërkombëtarëve për dialog. Lideri demokrat ka mbajtur këtë qëndrim në mbledhjen me kryesinë e PD dhe ish-deputetët, ku është shprehur se mesazhet që i dha opozitës 30 qershori janë tashmë shumë të qarta, ndërsa ka dhënë porositë për protestën e së hënës.

“Ftesa ndaj shqiptarëve për ditën e hënë është: të gjithë bashkë kundër diktaturës, në mbrojtje të familjeve dhe fëmijëve tuaj, në mbrojtje të Demokracisë dhe Kushtetutës”, është shprehur Basha.


Sipas tij, 30 qershori i motivon më shumë në vendosmërinë e tyre. “Largimi i Edi Ramës, ndëshkim të politikanëve që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe të gjithë atyre që organizuan dhe zbatuan farsën e 30 qershorit, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira e të ndershme, parlamentare dhe lokale”, është shprehur Basha.

Krydemokrati mësohet se është shprehur gjithashtu se PD dhe opozita dolën më të fortë dhe më të bashkuar nga 30 qershori. “Ata nuk meritojnë asnjë vëmendje apo harxhim kohe. Injorojoni, përbuzini, e gjithë energjia në aksionin politik kundër padronit dhe financuesit të tyre, Edi Ramës”, ka deklaruar kreu i opozitës, megjithëse ndryshe nga Berisha nuk ka bërë thirrje për kryengritje.

Menjëherë pas mbledhjes së zhvilluar në selinë blu, me kryesinë dhe grupin e ish-deputetëve kreu i PD, Lulzim Basha do të niset jashtë vendit. Basha në mbledhje ka thënë se do të niset menjëherë për në Luksemburg, ku do të zhvillojë takime me krerët e partive popullore europiane. Kjo vizitë e Bashës jashtë vendit vjen në një kohë, kur kanë mbetur vetëm 4 ditë nga protesta e opozitës.




Skip to toolbar