Bindjen Demokratike s’e bindin zgjedhjet. Ankimon 30 qershorin

AKTUALITET


Bindja Demokratike do të ankimojë zgjedhjet e 30 qershorit me argumentin se për shkak se nuk u përfaqësua me komisionerë në komisionet e votimit dhe në ato të numërimit, procesi u keqadministrua nga përfaqësuesit e PS-së.

Kreu i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, i cili u fut në garën e 30 qershorit bashkë me PS-në,  njofton vendimin për të ankimuar zgjedhjet ndërsa akuzon KQZ-në që la jashtë komisioneve të administrimit të zgjedhjeve partinë e tij.


“Aspekti më i rëndë i këtyre zgjedhjeve ishte mospranimi nga ana e tyre që ne të kishim një sy në administrimin e zgjedhjeve, në kushtet e mungesës së Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kërkesës sonë të përsëritur për të pasur komisionerë dhe numurues në të gjitha qendrat e bashkive ku konkurronim KQZ-ja dhe KZAZ-të nuk iu përgjigjën kurrë, madje në kundërshtim flagrant me ligjin, as që denjuan ta marrin fare në shqyrtim.

Ndaj ne vendosëm t’i ankimojmë këto zgjedhje, sepse mendojmë që ato u drejtuan dhe administruan keq vetëm nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët, me sa duket, nuk hoqën dorë nga vesi i vjetër i tjetërsimit të votës, edhe në kushtet e mungesës së shumë partive opozitare më 30 qershor”, shkruan Patozi.

Një tjetër shqetësim që ngre ai është edhe dyshimi se në shumë qendra votimi janë shtuar votat në mënyrë fiktive.

“Refuzimi i pranisë sonë nëpër komisionet e votimit dhe në tavolinat e numurimit është një argument i mjaftueshëm që ne të kemi dyshime të arsyeshme se rezultati i këtyre zgjedhjeve është trukuar nga profesionistët e vjedhjes së votës në Shqipëri. Ky ankimim mbështetet edhe nga të dhëna të besueshme që na sjellin përfaqësuesit dhe vëzhguesit tanë nga disa bashki të vendit, ku shkeljet kanë qenë më flagrante.

Ne kemi dyshime se në shumë qendra votimi janë hedhur fletë votimi për të rritur fiktivisht numrin e mbështetësve të qeverisë, në shumë zona ka pasur haptazi votim familjar, ndërsa në tavolinat e numurimit janë ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve në favor të Partisë Socialiste ose aleatëve të saj”, shkruan Patozi.

Ai thotë se kontestimi i zgjedhjeve nuk ka lidhje me rezultatin e Bindjes Demokratike, por me keqadministrimin e procesit zgjedhor.

“Ky kontestim nuk ka lidhje me rezultatin e BINDJES DEMOKRATIKE, i cili mund të konsiderohet i mirë për kushtet dhe trysninë e jashtëzakonshme, që ushtruan palët mbi të gjithë procesin, por është një shërbim që kryhet për të nxjerrë dhe zbardhur të vërtetën e 30 qershorit”, shkruan Patozi.

Kujtojmë se Partia Demokratike dhe LSI iu drejtuan KQZ me kërkesë për të marrë pjesë me përfaqësuesit e tyre në Komisionet e votimit dhe në ato të numërimit, por kjo kërkesë nuk u pranua nga KQZ me argumentin se nuk janë subjekte pjesëmarrëse në zgjedhje. Më pas PD iu drejtua Kolegjit Zgjedhor dhe Kolegji la në fuqi vendimin e KQZ-së.

Në bazë të Kodit Zgjedhor Bindjes Demokratike nuk i takon të ketë komisionerë në komisionet e votimit dhe në ato të numërimit pasi nuk është parti parlamentare.

BINDJA DEMOKRATIKE DO T’I ANKIMOJË ZGJEDHJET E 30 QERSHORITE vetmja fitore e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte që ditën…

Gepostet von Astrit Patozi am Donnerstag, 4. Juli 2019



Skip to toolbar