Lulzim Basha iu bashkua protestës së banorëve të “Astirit” të dielën pasdite. Ndonëse me ndryshimet e Kodit Penal, kushdo që bllokon rrugën arrestohet, kryedemokrati dhe disa protestues sfiduan këto ndryshime, duke bllokuar për disa minuta njërin krah të Unazës së Re. Më pas, Lulzim Basha sulmoi Prokurorinë, duke u shprehur se organet e drejtësisë janë me kamikazë politikë. “Prokuroria është e kapur dhe ka kamikazë politikë në gjykata dhe në Prokurori. Prandaj Rama nuk përgjigjet para ligjit, sepse ai e ka kapur Prokurorinë. Balla është sot njeriu i cili mbështet një trafikant droge për ndërtime pa leje. Damian Gjiknuri që iu përfshi emri në afera korruptive. Saimir Tahiri që dihet botërisht ka lidhje me bandat e trafikut të drogës”, tha Basha.
Më tej, sipas Lulzim Bashës, pa shkuar Edi Rama në Burg, nuk do të ketë Shqipëri europiane. “Shqipërisë nuk do i hapen rrugët në Europë me një mashtrues dhe pa çuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin nga i pari tek i fundit. Opozita e bashkuar sot qëndron në krah të baballarëve, për një Shqipëri europiane dhe jo Shqipëri vend kriminelësh e hajdutësh. Ne luftojmë për Kushtetutë dhe ligj. Pa u çuar para drejtësisë Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund të ketë Shqipëri europiane”, tha Basha.
Ndërsa, më tej kreu i PD lëshoi akuza edhe për disa media në vend, që sipas tij kanë pronar të korruptuar. “Beteja jonë është për një Shqipëri ku politikanët të dënohen si qytetarët e thjeshtë. Unë kam respekt për çdo gazetar, por ka pronarë mediash të korruptuar. E drejta e protestës është më e shenjtë se sa e drejta e Edi Ramës për të vjedhur me Karlo Bolinon. Nuk ka Kod Penal që të ndalojë protestën. Vetëm në vendet diktatoriale ndalohet protesta”, tha Basha.
Sipas kryedemokratit, ndaj banorëve të Unazës së Re po ushtrohet terror, ndërsa akuzoi qeverinë se po devijon projektin e Lanës, për ndërtimin e kullave. “Prej një viti ndaj banorëve të Unazës së Re po ushtrohet terror. Qeveria po devijon projektin e Lanës, për t’i dhënë mundësinë një trafikanti, mik të Ramës e të Ballës, që do të pastrojë paratë e krimit në kulla. Policët, të cilët janë në hallin e tyre dhe marrin paga të ulëta, por janë rreshtuar në anën e gabuar. Gjykata ka vendosur të lërë në burg sot 3 baballarë”, tha Basha.