Mandati i kryebashkiakut të Kuçovës në dorë të KQZ. SPAK i ka kthyer përgjigje përfundimtare kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, duke deklaruar se Kreshnik Hajdari, aktualisht kryebashkiak i Kuçovës, është i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme.
Dënimi për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve, është dhënë më 25 janar të vitit 2024, me 9 muaj burg, por Hajdari ka përfituar ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar në 6 muaj, konvertuar në punë të detyrueshme në interes publik, pa shpërblim.
Hajdari pranoi dënimin, dhe nuk e apeloi, duke marrë vendim të formës së prerë. Drejtësia shqiptare provoi se në vitin 1999, kur Kreshnik Hajdari ishte vetëm 17 vjeç, është dënuar për hyrje në mënyrë të paligjshme në territorin grek nga drejtësia greke.
Për të fshehur këtë dënim, Hajdari në Shqipëri u provua nga SPAK se ka falsifikuar më shumë se një herë vula, stampa e formularë. Në muajin prill të këtij viti, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Kreshnik Hajdarit, duke urdhëruar KQZ të marrë një vendim për mandatin e tij.
Rasti i Kreshnik Hajdarit është shumë i ngjashëm me atë të Agim Kajmakut në vitin 2019. Të dy kanë patur të njëjtin problem, shkeljen e ligjit në Greqi dhe fshehjen e dënimit në Shqipëri.
Në vitin 2019, KQZ vendosi pas gjitha verifikimeve dhe informacioneve të marra nga Prokuroria e Përgjithshme e asaj kohe, ku u provua se Kajmaku ishte dënuar nga drejtësia greke, deklaroi përfundimin e mandatit të Kajmakut.
Ndërsa së fundmi, KQZ ka shqyrtuar mandatin e kryebashkiakut të Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj. Sipas PD, Marinaj ishte gjykuar dhe dënuar në Itali, por pas verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme, Marinaj doli të mos kishte as dënim, as hetim, as dëbim nga Italia apo vend tjetër i huaj, ndaj dhe KQZ vendosi ti lejojë mandatin.
Topi tashmë mbetet në dorë të Ilirjan Celibashit, i cili një vit para zgjedhjeve të ardhshme lokale duhet të marrë një vendim për mandatin në mbarim të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
