Kryeministri Edi Rama, teksa po fliste për Prokurimet Publike, u ndal edhe te marrja nën akuzë e kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri për shkelje të barazisë në tendera të kryer në bashkëpunim.
Kryeministri e cilësoi Myzyrin si personin që transformoi KPP-në, ndërsa shtoi se u bë target balte pasi u vu nën hetim nga Prokuroria, por që sipas tij, ishte ky hetim, që atë e nxorri se nuk kishte asnjë faj.
“Për këtë arsye kemi vendosur një proces të brendshëm krejt të ri. Nuk ka më terma reference që shpallen arbitrarisht por pasi janë marrë në konsideratë të gjitha ankesat e operatorëve. Ankesat e operatorëve nuk i merr në konsideratë autoriteti që shpall tenderin, por agjencia e Prokurimit Publik dhe Komisioni i Prokurimit Publik.
Te Komisioni, njeriu që e transformoi Komisionin u bë target i baltës për një periudhë kohe pasi për arsye siç ndodh me një shtet me një drejtësi të pavarur u mor në hetim si rezultat i një hetimi, por rezultoi tërësisht pa lidhje me asnjë faj apo problemi.
Por balta që iu hodh dhe gjithçka që u bë për ta shkatërruar personalisht e familjarisht, siç ndodh në këtë raste, e bëri të veten dhe nuk më ka rënë në sy asnjë lloj reflektimi apo kërkese ndjese nga askush lidhur me atë që i bënë atij njeriu. E solla këtu se nuk është i vetmi si shembull për faktin se në këtë proces kemi bërë transformim epokal.”, tha Rama.
